Mark Markez bën të tijin edhe Çmimin e Madh të Holandës, ndalesa e dhjetë sezonale e Botërorit 2025 të Moto GP-së. Pasi kishte fituar Sprintin të shtunën, spanjolli i Dukatit bëri “bis”, duke komanduar edhe në garën e madhe të së dielës.

Ndonëse u nis nga vendi i katërt, Markez arriti të rikuperonte, për të mbërritur para të gjithëve drejt flamurit me kuadrate. Një garë që nisi nën shenjën ne Françesko Banjajas, me italianin që shkëlqeu në start, duke kaluar Fabio Kuartararon që e fillonte nga “pole position”.

Por pas pesë xhirosh në skenë doli “Kanibali”, Mark Makez, i cili tregoi edhe një herë superfuqinë në pistë, për të fluturuar drejt fitores. Ai që tentoi ta rivalizonte për triumfin ishte Marko Bexeki, por piloti i Aprilias duhet të kënaqet me vendin e dytë në Asen, ndërsa shkalla e tretë e podiumit u plotësua nga Banjaja, me italianin e Dukatit që në fund arriti t’u bënte ballë sulmeve të KTM-së së Pedro Akostës. Peko provoi të shtynte për vendin e dytë deri në fund, por në xhirot finale, nën presionin e Akostës, mendoi më pas për të mbrojtur vendin e tretë. Në vend të pestë u klasifikua motori tjetër KTM i Maverik Vinjaleshit, ndërsa pas tij dy Dukatit VR46, Fabio di Xhanantonio dhe Franko Morbideli. Aprilia e Raul Fernandezit, KTM-ja e Enea Bastianinit dhe Yamaha Fabio Kuartaros kompletuan dhjetëshen e parë. Në zonën e pikëve u futën edhe Binder, Zarko, Rins, Miler e Shantra, ndërsa i vetmi që i mbylli garën dhe mbeti pa pikë ishte Aleiks Espagrago, në pozicionin e 16-të.

Oliveira, Aldeguer, Mir, Savadori e Ogura nuk mundën ta përfundonin garën, ashtu sikurse edhe Aleks Markez, i cili u rrëzua në xhiron e pestë, teksa po luftonte me Akostën. Një rrëzim me kosto të lartë për pilotin e spanjoll, i cili humbet terren nga vëllai i tij, Mark Markez, por mbi të gjitha pëson edhe një frakturë në dorë. Duke u kthyer te protagonisti absolut në Asen, Mark Markez shënoi fitoren e tretë radhazi në kampionat, gjë që nuk ndodhte që prej vitit 2019. Me këtë sukses, spanjolli arrin triumfin e 68- të në klasin mbretëror, duke barazuar Xhakomo Agostinin. Ndërkohë, përsa i përket klasifikimit, Mark Markez i forcon edhe më shumë pozitat në vendin e parë, duke shkuar në kuotën e 307 pikëve. Në vend të dytë qëndron Aleks Markez i Gresinit me 239 pikë, ndërsa treshja e parë plotësohet nga Peko Banjaja me 181 pikë. Një sezon që po dominohet nga Mark Markez, i cili duket se po shkon i sigurt drejt titullit të shtatë në Moto GP dhe të nëntit gjithsej në të tria klaset e Motobotërorit. Eventi i radhës do të jetë në Gjermani, në fundjavën mes datave 11- 13 korrik

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb