Tridhjetë e dy persona janë arrestuar në një operacion kundër një prej organizatave kryesore kriminale përgjegjëse për vjedhjen e karburantit në qendër të Meksikës, thanë autoritetet. Banda vidhte karburantin duke shpuar tubacionet e naftës dhe më pas e ruante atë në depo, sipas sekretarit për sigurinë dhe mbrojtjen civile.
Omar García Harfuch tha se anëtarët e bandës më pas shisnin karburantin në mënyrë të paligjshme në Meksiko, si dhe në shtetet federale Hidalgo dhe Querétaro. Në një konferencë për shtyp të dielën, García Harfuch tha se disa anëtarë të bandës kishin falsifikuar edhe dokumente dhe kishin lidhje me autoritetet lokale për të lehtësuar veprimtarinë e tyre. Ai identifikoi si dy prej udhëheqësve kryesorë të organizatës kriminale personat Cirio Sergio “N” dhe Luis Miguel “N”, të cilët koordinonin nxjerrjen dhe shpërndarjen e karburantit.
Një tjetër person, i identifikuar si Aurelio N, u përmend si një “operator logjistik dhe financiar i celulës kriminale,” sipas pretendimeve të García Harfuch. Operacioni ishte rezultat i gjashtë muaj hetimesh për të identifikuar dhe gjetur anëtarët e bandës, thanë autoritetet. García Harfuch po ashtu njoftoi se 12 prona, që shërbenin si qendra operacionale të bandës, u sekuestruan, si dhe afërsisht 50 automjete, 36 armë zjarri dhe 16 milionë pesos (rreth 619,464 paund) para në dorë.
Në prona u gjetën gjithashtu disa kafshë dhe specie ekzotike – përfshirë një luan të vogël, një jaguar të vogël dhe dy majmunë merimangë. Në një përditësim në X të dielën në mbrëmje, ai tha se “këto kafshë ishin në kushte të rrezikshme” dhe tani po kujdesen për to zyrtarët federalë të mbrojtjes së mjedisit.
