Ndërsa Evropa përjeton temperatura rekord dhe efekte gjithnjë e më të rënda të krizës klimatike, përpjekjet për t’u përballur me këtë situatë po pengohen nga frikacakëria politike, paralajmëroi zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian për tranzicionin e gjelbër, Teresa Ribera.

Në një intervistë për The Guardian, Ribera theksoi se ndonëse ndikimet e ndryshimeve klimatike janë tashmë të dukshme, veprimet konkrete mbeten të pamjaftueshme. “Kur sheh hartën e Evropës, është e tmerrshme”, tha ajo, duke iu referuar temperaturave ekstreme të regjistruara në qershor – përfshirë 46°C në Huelva të Spanjës dhe mbi 36°C në Bruksel.

Sipas saj, mungesa e përgatitjes përballë realiteteve të reja klimatike dhe infrastruktura e papërshtatshme tregojnë se lidershipi evropian ende nuk ka ndërmarrë hapa të guximshëm. Një ndër pengesat kryesore, sipas Riberës, është refuzimi i disa partive politike për të pranuar ekzistencën e ndryshimeve klimatike apo për të vepruar nga frika e humbjes së votuesve.

“Është shumë më e kushtueshme të mos veprosh”, u shpreh ajo. “Nuk mund të thuash se kriza klimatike është sfida më e madhe e kohës sonë dhe pastaj të mos bësh asgjë”.

Edhe komisionerja për mjedisin, Jessika Roswall, e cila ndodhej në Spanjë për të vizituar lagunën e Doñanës, theksoi nevojën urgjente për ta trajtuar ujin si burim strategjik. Ajo tha se Komisioni ka paraqitur një strategji për të mbrojtur ciklin natyror të ujit dhe për të zhvilluar një “ekonomi uji të qëndrueshme dhe elastike” në të gjithë BE-në.

Ndërsa temperaturat rriten dhe thatësirat bëhen më të shpeshta, ekspertët paralajmërojnë se kriza klimatike është gjithashtu çështje sigurie, që ndikon prodhimin ushqimor, energjinë dhe stabilitetin ekonomik. “Investimi në natyrë është investim në sigurinë tonë”, tha Roswall.

Ribera vuri në dukje se shembuj pozitivë të bashkëpunimit ekzistojnë, si marrëveshja 1.4 miliardë euro mes qeverisë spanjolle dhe rajonit të Andaluzisë për mbrojtjen e Doñanës – një nga rezervat më të rëndësishme të karbonit në Evropë. Megjithatë, ajo paralajmëroi se në mungesë të një reagimi të bashkërenduar politik, pasojat mund të thellohen.

Në Spanjë, qershori i vitit 2025 u regjistrua si muaji më i nxehtë ndonjëherë, me një temperaturë mesatare prej 23.6°C, sipas Agjencisë Shtetërore Meteorologjike AEMET – duke thyer rekordet e mëparshme dhe duke u bërë sinjal alarmi për të ardhmen klimatike të kontinentit.

“Mohimi ose shmangia e përgjegjësisë për krizën klimatike vetëm sa do të thellojë mungesën e besimit në klasën politike”, përfundoi Ribera.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb