Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, theksoi në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së se mbrojtja euro-atlantike është një detyrë kyçe për sigurinë e Shqipërisë dhe të rajonit.

Ai shprehu mbështetjen e tij për amendamentin e paraqitur nga senatorët amerikanë për rritjen e financimit të mbrojtjes.

Mediu vlerësoi rolin e udhëheqjes së SHBA-së dhe aleatëve europianë në forcimin e bashkëpunimit për sigurinë. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit brenda aleancës për një rajon më të qëndrueshëm dhe të sigurt.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu: Edhe unë jam një nga ata që mbështesin këtë amendament të paraqitur nga Senatori Cornyn, të bashkësponsorizuar nga Senatori Ëicker dhe Kongresmeni Smith. Personalisht e mbështes këtë amendament sepse kam besim të fortë në sigurinë euroatlantike dhe aleancën euroatlantike. Samiti foli qartë për rëndësinë e bashkëpunimit brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut në ndarjen e barrës, përfshirë financimin e buxhetit të mbrojtjes deri në 5%, nga të cilat 3.5% në investime bazë për mbrojtjen, çka jep një perspektivë të re për sigurinë evropiane dhe aleancën në tërësi.

U vlerësua gjithashtu edhe lidershipi i Shteteve të Bashkuara dhe i Presidentit Amerikan nga çdo lider evropian. Mund të përmend edhe Kancelarin Merz dhe të tjerë, të cilët janë zotuar të forcojnë aleancën dhe të punojnë së bashku për ta bërë Evropën më të sigurt.

Gjithashtu dua të përgëzoj veprimet kundër regjimit të Iranit, të cilat, siç e kam përmendur edhe më herët, do të ndihmojnë shumë për një Evropë më të sigurt.

Duke e përmbyllur, besoj se politikat e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të tjera euroatlantike që punojnë dorë për dore për çështjet e sigurisë janë shumë të rëndësishme. Duhet të përqendrohemi në bashkëpunim dhe jo në përçarje brenda aleancës dhe mes vendeve të rajonit të OEC-së, në mënyrë që të kemi një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt. Faleminderit!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: