Pedagogu shqiptar në Britaninë e Madhe, Andi Hoxhaj, komentoi drejtpërdrejt në studion e News24 përplasjen e fundit në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe politikanit britanik të djathtë Nigel Farage, mbi çështjen e emigrantëve shqiptarë në Britani.

Sipas Hoxhajt, Nigel Farage ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi politikat kundër të huajve dhe ka qenë zë i fortë për largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian me justifikimin e kontrollit të emigracionit.

“Tashmë, vëmendja e tij është përqendruar te emigrantët shqiptarë. Retorika që ai përdor është pjesë e një diskursi të brendshëm politik që po përpiqet të bindë britanikët të dalin edhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke përmendur rastet e shqiptarëve që përfitojnë nga kjo e drejtë për të qëndruar në Britani,” tha Hoxhaj.

Ai theksoi se komuniteti shqiptar në Britani nuk i ka pritur mirë këto deklarata. “Kjo retorikë ka impakt negativ, veçanërisht për shqiptarët që merren me biznes, pasi krijon pasiguri dhe ul besimin e investitorëve.”

Ndërsa pranoi se ka shqiptarë që përfshihen në aktivitete të paligjshme apo ndodhen në burgje, ai nënvizoi se komuniteti shqiptar është shumë më i madh dhe përfaqësohet denjësisht në fusha të ndryshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb