Analisti Erl Murati, i ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, komentoi përfundimin e procesit të rinumërimit të votave në Qarkun e Fierit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar tensionin politik që shoqëroi këtë proces si dhe domosdoshmërinë për hetim të mëtejshëm nga organet e drejtësisë.

Sipas Muratit, kryeministri Edi Rama nuk ishte entuziast për rinumërimin, madje u kishte kërkuar deputetëve socialistë të tërhiqeshin nga kërkesa për rinumërim.

“Ai i ndaloi të vetët duke u thënë se nëse nuk ka ndryshim rezultati, imagjinoni sulmin mediatik që do t’ju vijë,” tha Murati.

Ai veçoi rastin e kandidatit të PS-së, Ceno Klosi, si një shembull ku duken parregullsi në numërim. Murati theksoi se “krimi zgjedhor është një çështje serioze dhe i takon drejtësisë të japë vendimin përfundimtar”.

Pavarësisht debatit politik, analisti e konsideroi rinumërimin një hap pozitiv për demokracinë, pasi ka sjellë transparencë dhe ka larguar dyshimet e qytetarëve mbi manipulimin e votave.

“Nga pikëpamja juridike mbetet për t’u interpretuar se çfarë përbën manipulim apo gabim njerëzor, por në çdo rast prokuroria duhet të hetojë,” përfundoi Murati.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb