Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump do të takohen në Shtëpinë e Bardhë sot me Edan Alexander, pengun e fundit amerikan të gjallë në Gaza, i cili u lirua në maj.
“Presidenti dhe Zonja e Parë janë takuar me shumë pengje të liruara nga Gaza dhe mezi presin të takohen me Edan Alexander dhe familjen e tij në Zyrën Ovale”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një deklaratë.
Alexander, tani 21 vjeç, është një amerikano-izraelit nga New Jersey. Ushtari ishte 19 vjeç kur militantët sulmuan bazën e tij në Izrael dhe e tërhoqën zvarrë në Rripin e Gazës. Alexander u transferua në Izrael në vitin 2022 pasi mbaroi shkollën e mesme dhe u rekrutua në ushtri.
Ai u lirua më 12 maj nga grupi militant Hamas pas 584 ditësh në robëri. Alexander kishte qenë në Izrael që kur u lirua deri sa udhëtoi muajin e kaluar për në shtëpi në New Jersey, ku familja e tij ende jeton.
Ai ishte midis 251 personave të marrë peng nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit 2023 që çoi në luftën Izrael-Hamas.
Në fillim të marsit, Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me një grup prej tetë ish-pengjesh të liruara nga Hamasi: Iair Horn, Omer Shem Tov, Eli Sharabi, Keith Siegel, Aviva Siegel, Naama Levy, Doron Steinbrecher dhe Noa Argamani.
Takimi i sotëm vjen përpara një vizite të planifikuar të hënën në Shtëpinë e Bardhë nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa Trump nxit qeverinë izraelite dhe Hamasin të negociojnë një armëpushim dhe një marrëveshje për pengjet dhe t’i japin fund luftës në Gaza.
