Qeveria e Afganistanit deklaroi të enjten se Rusia është bërë vendi i parë që e ka njohur zyrtarisht regjimin e talibanëve, duke e quajtur vendimin “të guximshëm”.  Lajmi u bë publik pas takimit të ministrit të Jashtëm taliban, Amir Khan Muttaqi, me ambasadorin rus në Kabul, Dmitry Zhirnov.

“Ky është një hap i ri në marrëdhënie pozitive, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim konstruktiv”, tha Muttaqi.

Ministria e Jashtme ruse theksoi se njohja do të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, përfshirë energjinë, bujqësinë dhe infrastrukturën. Në prill, Moska hoqi talibanët nga lista e saj e organizatave terroriste dhe pranoi ambasadorin e tyre në kryeqytetin rus.

Njohja është dënuar nga aktivistet afgane, të cilat thonë se ajo legjitimon një regjim që ndalon shkollimin e vajzave dhe shkel të drejtat e njeriut. Edhe ish-deputetet afgane paralajmëruan se ky vendim rrezikon sigurinë globale.

Talibanët u rikthyen në pushtet në gusht 2021, pas tërheqjes së forcave të NATO-s. Që atëherë, shtetet perëndimore nuk i kanë njohur zyrtarisht, duke i kushtëzuar marrëdhëniet me respektimin e të drejtave të grave dhe lirive themelore.

SHBA, BE dhe aleatë të tjerë kanë ngrirë ndihmat dhe kontaktet mbeten të kufizuara, kryesisht për çështje humanitare dhe sigurie. Perëndimi kritikon ashpër ndalimin e arsimit për vajzat dhe përfshirjen e figurave të sanksionuara në qeveri./REL

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: