Horge Martin rikthehet në motor. Kampioni në fuqi i Moto GP-së ka kryer një provë në pistën e Montmelos në Barcelonë, me një Aprilia RSV4. 27-vjeçar spanjoll njoftoi në rrjetet sociale rikthimin mbi motor, duke ndarë edhe dy foto, njërën në bokse dhe tjetrën duke drejtuar në pistë.
“Nuk kam pasur kurrë frikë, përsëri në motor, pas tre muajsh”, ishte mesazhi i shkurtër i pilotit. Në fakt, duke përjashtuar paradën në Aprilia “All Star” në qershor, Horge nuk ka qenë në motor që nga Çmimi i Madh i Katarit më 13 prill, një event i pafat për të. Në atë rast, piloti u rrëzua dhe pësoi një dëmtim serioz, duke marrë fraktura të shumta në brinjët e kraharorit.
RIKUPERIMI
Testi i Martinit vjen disa ditë pas rezultateve të kontrolleve mjekësore për të vlerësuar procesin e tij të rikuperimit. Për momentin, piloti i Aprilias nuk është autorizuar të kthehet në pistë në Moto GP. Rikuperimi pas dëmtimit po ecën mirë, por ende nuk është i plotë, duke i detyruar kështu mjekët të shtyjnë kthimin e tij me të paktën dy javë. Është e pamundur ta shohim atë në aksion në Sashsenring, me spanjollin që do të humbasë ështu edhe Çmimin e Madh të Gjermanisë, event që do të zhvillohet mes 11 dhe 13 korrikut. Stërvitja në Montmelo, megjithatë, mund të jetë një shenjë e mirë drejt Brnos. Çmimi i Madh i Republikës Çeke është planifikuar nga 18 deri në 20 korrik dhe Horge mund të ketë kohën e nevojshme për t’u rikthyer. Por gjithçka do të varet nga lëvizjet e ardhshme.
VENDIMET
Në fakt, këto do të jenë ditë intensive për Martinin. Spanjolli do të duhet t’u nënshtrohet testeve të reja mjekësore në fillim të javës së ardhshme. Vetëm atëherë do të dihet saktësisht nëse ai do të jetë në gjendje të garojë në një Moto GP para pushimeve verore, të cilat do të zgjasin nga 20 korriku deri më 15 gusht. Për më tepër, bazuar në rezultatin e testeve, kampioni i Botës i vitit 2024 do të kuptojë se kur do të jetë i aftë që të kryejë një provë private me Aprilia RSGP para se të kthehet në Kampionatin Botëror. Kjo provë në pistë u bë e mundur nga ndryshimi i rregullores, i cili i lejon një piloti të dëmtuar të rifitojë gradualisht besimin me motorin e garës përmes një seance testimi. Martin duket se mezi pret të zbresë në pistë, por do t’i duhet të presë edhe disa ditë.
