Aeroporti Ndërkombëtar i Budapestit ka pezulluar përkohësisht udhëtimet për shkak të dëmeve të pësuara gjatë një stuhie të fortë sot , pasi pistat u mbushën me mbeturina dhe uji i shiut hyri në ndërtesën e terminalit, tha operatori i aeroportit.
“Stuhia e fortë preku edhe Aeroportin Ndërkombëtar Ferenc Liszt të Budapestit. Për shkak të mbeturinave në pista, ato janë mbyllur për arsye sigurie dhe udhëtimet në aeroport janë pezulluar përkohësisht”, thuhet në deklaratë.
Administrata e aeroportit raportoi se uji hyri përmes tavanit të sallës së nisjeve të Terminalit 2A, e cila më pas u evakuua dhe të gjitha procedurat e regjistrimit u transferuan në Terminalin 2B.
Nuk pati të lënduar nga dëmet e stuhisë, theksoi administrata e aeroportit.
(BalkanWeb)
