Presidenti francez Emmanuel Macron mbërrin sot në Londër për një vizitë shtetërore, ku do të marrë pjesë në një pritje mbretërore si edhe do të diskutojë mbi emigracionin e paligjshëm përmes Kanalit Anglez.

Macron dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, janë gjithashtu të gatshëm të çojnë përpara planet për një forcë sigurie pas armëpushimit në Ukrainë, një ide e propozuar më parë nga udhëheqësi francez, e cila u refuzua nga SHBA-të.

Vizita tre-ditore e Macronit, e cila vjen me ftesë të Mbretit Charles III, është vizita e parë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar nga një kryetar shteti i Bashkimit Evropian që nga Brexit dhe konsiderohet si tregues i dëshirës së qeverisë së Starmerit për të rivendosur marrëdhëniet me bllokun.

Vizita, e cila përfshin një roje nderi ushtarake dhe një banket shtetëror të organizuar nga Mbreti dhe Mbretëresha Camilla, do të përqendrohet në diskutime rreth migracionit, mbrojtjes dhe investimeve.

Të enjten, zyrtarët e lartë do të diskutojnë kalimin me varka të vogla, një çështje e vështirë për qeveritë në të dyja anët e kanalit.

Çdo vit, mijëra emigrantë përpiqen të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca veriore, shpesh duke u fshehur në kamionë ose duke kaluar Kanalin me varka të vogla.

Në përgjigje, Britania ka nënshkruar marrëveshje të shumta me Francën për të rritur patrullimet në plazh dhe për të ndarë informacione që synojnë ndërprerjen e rrjeteve të kontrabandës.

Megjithatë, marrëveshjet kanë pasur ndikim të kufizuar. Në vitin 2024, afërsisht 37,000 njerëz u zbuluan duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla – shifra e dytë më e lartë vjetore pas 46,000 në vitin 2022.

Numrat janë rritur në gjysmën e parë të këtij viti: më shumë se 20,000 njerëz e bënë kalimin në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, rreth 50% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Starmer, qeveria e të cilit e qendrës së majtë u zgjodh një vit më parë, është zotuar të “shkatërrojë bandat” që fshihen pas kontrabandës së organizuar të njerëzve.

Një pjesë e këtij plani mbështetet në bashkëpunim më të ngushtë me Francën dhe me vendet që ndodhen më tej në rrugën e emigrantëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Mbretëria e Bashkuar synon gjithashtu të arrijë marrëveshje me kombe individuale për të marrë mbrapsht azilkërkuesit e refuzuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb