Dita e Ashures, përkon me 10-ditëshin e parë të muajit Muharrem në kalendarin arab. Origjina e festës nis nga Iraku, ku në fushën e Qerbelasë, rreth 1400 vjet më parë u masakruan nipi i profetit Muhammed, Imam Huseini, së bashku me 72 shehid (dëshmorë).

Për bektashinjtë Dita e Ashures konsiderohet si përshpirtja e Imam Hysenit, i cili u rrethua në Qerbela, së bashku me 72 shokët e tij.

Dita e Ashures është dita e fundit e Matemit, ku edhe në Shqipëri kjo ditë përkujtimore nga bektashinjtë kremtohet në ditën e dhjetë të tij. Kjo periudhë kohore nënkupton për besimtarët bektashinj zi, në kujtim të këtyre dëshmorëve që humbën jetën në Qerbela.

Për 10 ditë me radhë, besimtarët bektashianë iu përmbahen disa rregullave, si: ndalohet së ngrëni mishi, qumështi, vezët, ëmbëlsirat, çdo gjë që buron nga qeniet me shpirt, dhe lejohet çdo produkt tjetër që prodhohet nga toka, si fruta, zarzavate dhe vaj ulliri, etj, ndërsa kafeja pihet pa sheqer.

Gjatë tre ditëve të para nuk përdoren në tryezë lugët, piruni apo thika. Po ashtu, për dhjetë ditë bektashinjtë nuk pinë ujë, nuk japin dorën, nuk futen në një shtëpi të re dhe nuk marrin pjesë në gëzime.

Gjatë këtyre ditëve, klerikët mblidhen në xhami, apo teqe, në përkujtim të dëshmorëve të parë të Qerbelasë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb