Jannik Sinner është kualifikuar në çerekfinalet e Wimbledon, por për ta bërë këtë ka përfituar nga një dëmtim i Grigor Dimitrov, që u detyrua të tërhiqet gjatë setit të tretë. Bullgari, numri 19 i turneut, dominoi dy setet e para kundër numrit një në botë, i cili u duk në vështirësi edhe për shkak të një rrëzimi në fillim të ndeshjes. Por në setin e tretë, në rezultatin 2-2, Dimitrov ndjeu një dhimbje të fortë muskulore në kraharor dhe nuk mundi të vazhdojë.
Ndeshja e Dimitrov përfundoi me lot, pasi ai ishte në formë të shkëlqyer dhe kishte fituar dy setet e para me shërbim të fuqishëm (13 ace) dhe lojë të larmishme që vuri në vështirësi italianin. Por edhe një herë, si shpesh në karrierën e tij, u detyrua të dorëzohet për shkak të problemeve fizike.
Sa i përket Sinner, performanca nuk ishte bindëse. Përveç rrëzimit që i shkaktoi dhimbje në bërryl dhe kërkoi ndërhyrjen e fizioterapistit, ai u duk edhe psikologjikisht i lodhur dhe pa reagim ndaj lojës së fortë të kundërshtarit. I vetmi aspekt pozitiv për italianin është kualifikimi, më shumë si pasojë e fatit sesa e meritës në fushë. Sinner do të përballet në çerekfinale me amerikanin Ben Shelton, që eliminoi Lorenzo Sonego në katër sete.
Vetë nr.1 I botës e pranoi në fund të ndeshjes se nuk e ndjen të tijën këtë kaulifikim dhe se Dimitrov meritonte të lunate në raundin tjetër. Edhe e përditshmja italiane “La Gazzetta dello Sport kishte pikërish në faqen e pare të saj deklaratën e italianit që njohu meritat plotësisht Dimitrov për ndeshjen që zhvilloi.

Në çerekfinale kaloi edhe Novak Djokovic, i cili ka treguar edhe një herë pse është ndër më të mirët në historinë e tenisit. Në 1/8 e finales së Wimbledonit, serbi përmbysi ndeshjen ndaj australianit Alex de Minaur, duke fituar me rezultatin 1-6, 6-4, 6-4, 6-4. Pas një seti të parë të dobët, Nole reagoi me përvojë dhe vendosmëri, duke përballuar edhe momente të vështira si disavantazhi 4-1 në setin e katërt. Me pesë game radhazi, ai mbylli ndeshjen dhe siguroi çerekfinalen ndaj italianit Flavio Cobolli. Në moshën 38-vjeçare, Djokovic vazhdon të tregojë cilësitë e tij më të mira në fushë.
