“Bëra burg për arsye politike”, Ervin Salianji flet pasi la qelitë e Fierit: Dënimi për të më shmangur nga beteja zgjedhore
08 Korrik, 2025 15:34
Madhësia e tekstit:
Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, ka dalë nga Burgu i Fierit pas vuajtjes së dënimit për kallëzim të rremë publik. Ai qëndroi në qeli për 9 muaj, pas vendimit të Gjykatës së Apelit në 26 shtator të vitit të kaluar.
Në deklaratën e tij, ai e cilësoi burgosjen si një akt politik të orkestruar nga qeveria Rama. Sipas Salianjit, qëllimi ishte ta shmangnin nga beteja zgjedhore dhe ta ndëshkonin për denoncimet ndaj pushtetit.
Ai u zotua se do të vazhdojë luftën kundër regjimit, të cilin e cilëson të kriminalizuar dhe autoritar.
Ervin Salianji, ish-deputeti i PD-së: Çdo ditë e imja në burg është denoncim për regjimin e Ramës. Qytetarët do rezistojnë dhe do rrëzojnë një qeveri, që është e kriminalizuar. Ditët e mia në burg tregojnë regjimin e kalbur ku jetojmë.
Beteja ime ndaj regjimit nuk është ndaluar asnjëherë. Regjimi më burgosi nga frika e humbjes, aq sa mund të quhen zgjedhje. Qeveria ka dobësuar më shumë demokracinë më shumë në vend. Burgosja ime ka qenë për arsye politike. Betejën do ta vazhdoj në Strasburg.