Janik Siner u kualifikua për në çerekfinalet e Uimbëlldonit, duke përfituar nga tërheqja e Grigor Dimitrovit për shkak të dëmtimit, me bullgarin (numri 21 në botë) që dominonte dhe kryesonte me dy sete. Një natë e keqe për tenistin italian, por që u mbyll me fat për të, duke siguruar kështu kualifikimin mes tetë më të mirëve të turneut grand slam.
“Nuk ndihem aspak fitues në këtë takim. Nuk ishte mbyllja që dëshironim. I uroj Grigorit që të rikthehet sa më shpejt”, ishte komenti sportiv i tenistit italian. Por gjithashtu edhe vetë Siner vuajti një problem serioz fizik, një shqetësim në bërryl, për të cilin dje ai iu nënshtrua edhe një rezonance magnetike.
Megjithatë, Siner pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e sotme kundër amerikanit Ben Shelton (numri 10 në renditjen botërore ATP), sfidë që do të nisë në orën 15:00. Siner dje pasdite nuk e zhvilloi as seancën stërvitore, por nuk duket shumë i shqetësuar, ashtu sikurse deklaroi edhe vetë pas ndeshjes ndaj bullgarit:
“Nuk jam shumë i shqetësuar, por shpesh në këto situata kam tendencë të jem më pozitiv sesa duhet. Do ta shohim”, u shpreh numri 1 i botës. Pasi u rrëzua gjatë ndeshjes kundër Dimitrovit, Sinner konfirmoi se kishte ndjerë shumë dhimbje gjatë shërbimeve, pavarësisht se kishte marrë tre pilula që ia kishin lehtësuar shqetësimin.
