Gazetari dhe analisti Mentor Kikia, i ftuar në Log. në News24, për të diskutuar për zjarret në pyje dhe landfille, u shpreh se në rastin e landfillit të Elbasanit, nuk ishte thjesht një zjarr, por një katastrofë mjedisore.
Sipas gazetarit Kikia, aty është një mal ku mbetjet hidhen në natyrë me zero absolute të kritereve mjedisore dhe zjarrvënia nuk është e natyrshme aty, por është e qëllimshme për të eliminuar malin me mbetje se nuk kanë ku të hidhen tjerat.
Mentor Kikia: “Dy struktura janë të dënuara për t’u marrë me papërgjegjshmëritë e të tjerëve, me papërgjegjshmërinë e shtetit në rastin e landfillleve dhe me papërgjegjshmërinë e individit, kur një çoban me një shkrepse djeg gjithçka ose me papërgjegjshmërinë e një piromani që djeg për qejf. Në rastin e landfilleve, Elbasani duhej të shërbente si një pikë ndalese, ose më saktë një vizë e kuqe, që të mendoheshim mirë.
Nuk ishte thjesht një zjarr, por një katastrofë e pastër mjedisore. Nuk e di si do të vijojë procesi hetimor. Ajo që di të them, është gjëma më e madhe mjedisore në Shqipëri. Ai në Elbasan nuk është landfill, por një vend sipërfaqësor. Ishte një vaskë ku do të hidhej hiri i djegur i inceratorit, që u “dogj” pa nisur. Aty është një mal ku mbetjet hidhen në natyrë me zero absolute të kritereve mjedisore. Zjarrvënia nuk është e natyrshme aty, është e qëllimshme për të eliminuar malin me mbetje se nuk kanë ku të hidhen tjerat.”
(BalkanWeb)
