Një valë dorëheqjesh ka përfshirë Bashkinë e Durrësit, ku drejtues kryesorë të drejtorive dhe kryetarët e njësive administrative kanë paraqitur dorëheqjet e tyre.
Lëvizja vjen vetëm pak ditë pas shkarkimeve masive në Bashkinë e Vlorës dhe paralajmërimeve të forta nga Kryeministri Edi Rama për një “vetëpastrim” të thellë në administratën vendore, në funksion të reformës së paralajmëruar për zhvillimin dhe kontrollin e territorit.
Një komision i ngritur pranë Bashkisë së Durrësit pritet të vendosë në ditët në vijim se cilat prej dorëheqjeve do të pranohen dhe cilët drejtues do të qëndrojnë në detyrë.
Komisioni i përbërë nga 5 deputetë të listës së mbyllur – Klodiana Spahiu, Milva Ekonomi, Loer Kume, Skënder Pashaj dhe Aurora Mara – së bashku me kryebashkiaken Emiriana Sako, e cila është njëkohësisht edhe drejtuese politike e qarkut, do të vlerësojnë performancën e drejtuesve të Bashkisë së Durrësit.
Pas kësaj faze të parë, pritet që në “sitë” të kalojnë edhe drejtorët rajonalë të institucioneve të varësisë, si pjesë e fazës së dytë të procesit të ristrukturimit.
Sipas burimeve pranë Bashkisë së Durrësit për News24, procesi pritet të përfundojë brenda muajit korrik, dhe çdo drejtor do të vlerësohet individualisht për punën e tij/saj. Në varësi të performancës, komisioni do të vendosë nëse ata do të vijojnë apo jo detyrën.
