Kryeministri Edi Rama ka propozuar krijimin e një operatori kombëtar për shpërndarjen e ujit, të ngjashëm me modelin e përdorur në sektorin e energjisë. Gjatë një takimi me krerët e bashkive Rama theksoi se është koha për konsolidimin e këtij shërbimi në një strukturë të centralizuar, duke denoncuar abuzimet e ndodhura në nivel lokal.
“Është koha për një operator kombëtar të shpërndarjes së ujit, njësoj siç kemi për energjinë. Mund të përfytyroni një zyrë drejtori të një ujësjellësi me 30 këshilltarë staf, këshilltarë, sekretarë? Nuk ka zyra ime as çerekun, as zyrat tuaja. Ndodhte në UKT Tiranë,” u shpreh kryeministri.
Ai i cilësoi këto raste si “çudira”, duke shtuar se edhe pse situata ka ndryshuar në krahasim me të kaluarën, problematikat mbeten të shumta për një vend si Shqipëria që nuk ka luksin të vonojë reformat.
Rama theksoi se, ashtu si në sektorin e energjisë, ku ndërmarrjet dikur humbëse janë transformuar në struktura të qëndrueshme financiarisht që bashkëpunojnë me bankat, edhe sektori i ujit duhet të ndjekë të njëjtin model për t’u bërë më efikas dhe i qëndrueshëm.
Edi Rama: Te gjitha llojet e eksperiencave, kalkulimeve na nxjerrin në konkluzionin që është koha për një operator kombëtar të shpërndarjes së ujit, njëjte siç kemi për energjinë. Mund të përfytyroni një zyrë drejtori të një ujësjellësi me 30 këshilltarë staf, këshilltarë sekretarë? Nuk ka zyra ime as çerekun, as zyrat tuaja. Ndodhte në UKT Tiranë. Çudira ka pasur shumë, ka më pak në tërësi por ka tepër për një vend si Shqipëria që nuk ka luksin të presë. Duhet të konsolidojmë këtë strukturë, duhet të ndërtojmë një tjetër ndërmarrje si ajo që kemi në fushën e energjisë, që nga gropat më të mëdha thithëse të buxhetit janë kthyer në ndërmarrje që janë në gjendje të hyjnë në marrëdhënie me bankat.
