Shoqata “Tomorri” ka mbajtur në Akademinë e Shkencave një aktivitet përkujtimor, për Komandantin e çetës së Skraparit, Mestan Ujaniku.

Në një aktivitet që morën pjesë, personalitete nga Skrapari, përmes një programi të pasur artistik, që përfshiu muzikën e zonës,  figura e komandandit të njohur të çetës “Plakë” u përkujtua duke kërkuar edhe një monografi që plotëson detaje nga jeta e tij, përmes një studimi të mirëfilltë.

“Një komandant i atyre përmasave mund të marrë vlerën që meriton, nëpërmjet teksteve dhe nëpërmjet përkujtimoreve dhe shoqata “Tomorri” ka nisur ta bëjë diçka të tillë. Në rastin e tij është një rast tragjik se për të ende nuk ka një varr, por mund të bëhet një varr për të.  Praktika e varreve simbolike është bërë gjithandej, tha pedagogu Zylyftar Bregu.

Ndërsa u vunë në dukje vlerat e tij si strateg ushtarak e patriot, u kërkuar për të edhe emra rrugësh e bustesh. Sipas të pranishmëve, ai bënte bashkë fenë, kombin dhe famijen e atdheut, gjë që ë bëri me themelimin e çetës “Plakë” që mori edhe bekimin e babait të teqesë.

“Urtësia e mençuria e Mestan Ujanikut, bëri që të bashkoheshin të gjithë skraparlinjtë, bëri që të mos nisë luftë vëllavrasëse brenda territorit të Skraparit. Fakti që ai i doli në krye sot kemi qytetin e Beratit 2400 vjeçar që nuk u dogj e nuk u prish. Janë vlerat e këtij burri me shokët që e shoqëruan gjatë luftës”, tha pasardhësi i tij Kujtim Ujaniku Musabelliu.

Mestan Ujaniku mori pjesë në luftën e Vlorës, lëvizjen e qershorit, por emri i tij u bë më i njohur për shkak të çetës “Plakë” të Skraparit themeluar gjatë luftës së dytë botërore që bashkoi zonën e Skraparit. Pas çlirimit, ndonëse pati disa detyra, deri edhe nënkolonel pranë Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, u dënua nga regjimi komunist me “Grupi e deputetëve”. Pas vdekjes, trupi nuk iu dorëzua familjes dhe eshtrat nuk dihet ku prehen.

(BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb