Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një komunikim për mediat u shpreh se Qeveria po bën represion ndaj qytetarëve dhe sulm politik ndaj Veriut.
Sipas Blushit, në vend të përballet me krimin dhe bandat dhe të ndëshkojë paligjshmërinë e më të fortëve që pastrojnë paratë e pista të korrupsionti dhe krimit të organizuar me kulla pa leje shumëkatëse në Tiranë, kjo qeveri i ka shpallur luftë zyrtarisht qytetarëve të saj, duke nisur hakmarrjen shtetërore veçanërisht ndaj atyre që refuzojnë këtë regjim autokratik.
Fjala e Tedi Blushit:
Qeveria e Edi Ramës, me mandatin e vjedhur më 11 Maj nëpërmjet terrorit elektoral, ka hyrë në një fazë të rrezikshme represioni dhe hakmarrjeje të pastër politike ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj atyre më të dobët, më të pambrojtur dhe më të ndershëm të këtij vendi.
Në vend të përballet me krimin dhe bandat dhe të ndëshkojë paligjshmërinë e më të fortëve që pastrojnë paratë e pista të korrupsionti dhe krimit të organizuar me kulla pa leje shumëkatëse në Tiranë, kjo qeveri i ka shpallur luftë zyrtarisht qytetarëve të saj, duke nisur hakmarrjen shtetërore veçanërisht ndaj atyre që refuzojnë këtë regjim autokratik.
Në Tiranë, shkatërrimi brutal i mijëra bizneseve, për gjoja zënie hapësirash publike, pa paralajmërim dhe pa zgjidhje alternative, është një akt i pastër dhune ekonomike dhe sociale.
Mijëra familje po hidhen në rrugë për të ashtuquajturin “lirimi i hapësirave publike”, ndërkohë që kushdo prej tyre nëse do të ishte një oligark, pushteti do t’i jepte prona publike, siç është shkatërruar parku i liqenit artificial, por edhe toka në bregdet duke i shpallur edhe si “investitorë strategjikë”.
Kjo qeveri që shkatërron të dobtit dhe i përkulet të fortëve ka nisur gjithashtu një sulm politik edhe ndaj Veriut të vendit, në veçanti ndaj malësorëve të lirë, të ndershëm e patriotë.
Në Kukës, me arrogancën e zakonshme, është rritur tarifa në Rrugën e Kombit në 5 euro, një grabitje e re mbi shpatullat e një populli që jeton në kushte ekstreme varfërie dhe që mban numër rekord sa i përket shpopullimit, por që edhe ata banorë të mbetur Edi Rama i konsideron si armiq.
Nuk është vetëm padrejtësi ekonomike, është provokim politik dhe social ndaj Veriut, që prej kohësh trajtohet si kategori e dytë në sytë e kësaj qeverie arrogante e bullizuese.
Kjo qeveri që ka legalizuar dhe mbrojtur pronat e krimit në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, tani del në Theth e në zonat më të braktisura për të shembur biznese e shtëpi banimi me propagandën e turpshme “tokë e xanun”, një term i përdorur për të poshtëruar dhe përçmuar banorët e Veriut të Shqipërisë. Nuk është vetëm një akt administrativ.
Partia e Lirisë dënon me vendosmëri këtë gjuhë krahinaliste, një diskriminim institucional dhe bullizëm shtetëror i mirëmenduar ndaj qytetarëve veriorë, që nuk kanë as pushtet, as para, por kanë lirinë, patriotizmin dhe dinjitetin e tyre, dhe pikërisht këtë kërkon Rama t’ua marrë.
Edi Rama nuk po lufton informalitetin, po lufton popullin. Ai nuk po shkatërron ndërtimet pa leje të bandave, po shkatërron jetën e qytetarëve të thjeshtë.
Kjo qeveri është shndërruar në një aparat represiv që mbron bandat, pastron paratë e drogës, legalizon krimin dhe kriminalizon ndershmërinë. Është një sistem që përdor pushtetin për të mbajtur në frikë qytetarin dhe për të mbrojtur hajdutin.
Tashmë kërkohet që qytetarët shqiptarë të përballen me burg deri në 3 vjet, vetëm sepse parkojnë gabimisht makinën, duke e konsideruar këtë si “vepër penale”.
Ky është një tjetër skandal i paprecedentë, që nuk ndodh në asnjë vend të Bashkimit Europian dhe në asnjë shtet të së drejtës.
Ky është modeli i një shteti që nuk ofron asnjë zgjidhje për rrëmujën urbane të shkaktuar për lejet pa kriter për ndërtim të dhëna po nga Edi Rama dhe që në anën tjetër i trajton qytetarët si kriminelë për gabime të zakonshme administrative.
Ky propozim është një kërcënim i hapur ndaj jetës së përditshme të qytetarëve, një shkelje e parimeve të proporcionalitetit të dënimeve, dhe mbi të gjitha, një dëshmi e kapjes së shtetit për qëllime kriminale repressive.
Në vend që të përballet me krimin e organizuar, korrupsionin galopant dhe abuzimet me pushtetin, Edi Rama zgjedh të burgosë njerëzit që parkojnë gabimisht.
(BalkanWeb)
