Kancelari gjerman Friedrich Merz e akuzoi lideren e partisë ultra të djathtë AfD, Weidel, për qëndrime thjesht nacionaliste e për shpifje, edhe për migrimin. Merzi tha se ai do që Gjermania të mbetet vend tolerant. Në një debat të pazakontë të ashpër në Bundestag, AfD-ja foli për islamizim të Gjermanisë.

Në një lidhje me studion e News24, gazetari i Deutsche Welle, Auron Dodi tha se në 70-vjetorin e anëtarësimit në NATO, Gjermania deklaroi se synon të marrë drejtimin evropian të aleancës.

Daljana Sejdia: Auron, përshëndetje. Çfarë u tha për të huajt dhe migrimin në shkëmbimin midis kancelarit Merz dhe lideres së AfD-së, Weidel?

Auron Dodi: Fillimisht liderja e partisë ekstreme të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, Alice Weidel, ndërmorri në Bundestag sulm frontal kundër gjithë politikës së qeverisë: në ekonomi, në politikën ndaj migrimit dhe më gjerë.

Rastin për këtë ia dha debati në Bundestag për buxhetin e shtetit, ku partia më e madhe opozitare (aktualisht AfD-ja) flet e para. Weideli tha Gjermania ndodhet në një spirale rënieje. Sipas saj, në Gjermani,”islamizimi po përparon me shpejtësi dhe agresivitet”.

Ajo i quajti “fasadë” politikën e migrimit të qeverisë, kthimet pas në kufi.  Kryetarja e grupit parlamentar të AfD, Weidel kritikoi më tej që një ndër dy vetë që marrin ndihmë sociale në Gjermani, janë shtetas të huaj.

Ajo tha që më mirë ndihma sociale të quhet “para për migrantët.” Sipas saj, Gjermania mbetet “zonë rreziku e lartë për vendasit” përballë 80 sulmeve me thika në vitin 2024.

Si reagoi kancelari Merz ndaj akuzave? Modeli i kancelarëve të tjerë deri tani ka qenë thjesht injorimi i akuzave të AfD-së…

Friedrich Merz veproi ndryshe nga kancelarët e tjerë, u mor konkretisht me akuzat e AfD-së.  Në përgjigje, kancelari Merz e akuzoi Alice Weidelin se operon me “gjysmë të vërteta, me shpifje dhe fyerje personale”.

Ai tha se që nga fillimi, puna e qeverisë ishte dominuar nga sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës. Megjithatë, ai nuk kishte dëgjuar asnjë fjalë për këtë nga Weidel. Merzi e akuzoi Weidelin për një fjalim “thjesht nacionalist”. Kancelari tha se në Gjermani “klima po përmirësohet”. Dhe vuri në dukje se numri i azilkërkuesve ka rënë me 43 përqind, në gjysmën e parë të vitit.

Qeveria ka pezulluar ribashkimin familjar për personat që nuk kanë statusin e azilantit; anuloi marrjen e përshpejtuar të shtetësisë gjermane; po zgjeron listën e vendeve të sigurta.

“Ne do ta zgjidhim këtë problem”, tha Merzi për migrimin. Ndërsa duke iu drejtuar AfD-së tha: “Po ju ikën tema e luftës politike”. Ai tha se koalicioni në pushtet CDU/CSU-SPD dëshiron t’u përcjellë të gjithë njerëzve në Gjermani “kurajën dhe besimin” se ia vlen të punosh në këtë vend. Merzi tha se “ne duam që Gjermania të mbetet një vend i hapur, liberal dhe i lirë, dhe mbi të gjitha, duam që Gjermania të mbetet një vend tolerant.”

Qeveria Merz ka vetëm dy muaj që ka nisur punën. Pse ky sulm i ashpër në të gjitha frontet nga AfD-ja?

Te AfD-ja, partia e dytë në Gjermani, mbizotëron pikëpamja se AfD-ja duhet të jetë e zhurmshme, provokuese dhe agresive, për të qenë e dukshme. Tonet agresive shihen si pjesë e identitetit të AfD-së sidomos nga degët e AfD-së në lindje të Gjermanisë, ku AfD-ja ka sukseset më të mëdha.

Në Bundestag, dy të tretat e vërejtjeve i kanë marrë pikërisht deputetët e AfD-së, që i kanë quajtur edhe “vrasës fëmijësh” kundërshtarët e tyre politikë. Në fakt, kjo parti gjermane vepron në kundërshtim me strategjinë e partive simotra si p.sh. në Francë: ku Partia e Le Pen-it u moderua, për të fituar mbështetje. Po kështu veproi në Itali edhe partia e Melonit.

Njëkohësisht, AfD-ja synon të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2029. Kurse vitin e ardhshëm, synon të dalë fitimtare edhe në zgjedhjet rajonale, në pesë lande. Por po të shohim se landi i Rheinland-Pfalzit në jugperëndim, shpalli të enjten (10.07.) se nuk do të punësojë anëtarë të AfD në shërbimin publik, tendenca për AfD-në s’është pozitive.

Sepse për të ardhur në pushtet AfD-së i duhen aleatë. Në nivel qëndror ajo është larg kësaj: Shërbimi Informativ i Gjermanisë e ka shpallur AfD madje parti ekstremiste, tani ka një debat që kërkon ndalimin e AfD-së si parti.

Ndaj në këtë kuadër, AfD-ja miratoi fundjavën e kaluar (05/06 maj) një “kod sjelljeje”, për një sjellje më serioze, më të unifikuar. Por zbatimi i kodit prej saj pritet të jetë i vështirë.

Auron, një temë tjetër në Gjermani ka qenë kremtimi i anëtarësimit të Gjermanisë në NATO, 70 vjet më parë. Si u kremtua kjo?

Të mërkurën (09.07.) u organizua në Berlin një ceremoni përkujtimore për 70 vjetorin e anëtarësimit të Gjermanisë në NATO, ku mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Kancelari Merz theksoi në fjalim rritjen e ndjeshme të shpenzimeve gjermane për mbrojtjen. Ai tha se”ne do të bëjmë gjithçka në vitet e ardhshme për ta bërë Bundeswehr-in ushtrinë më të fortë konvencionale në Bashkimin Evropian”, “në përputhje me madhësinë dhe fuqinë tonë ekonomike”.

Merzi  tha se Gjermania do të marrë udhëheqjen në forcimin e krahut evropian të NATO-s, vitet e ardhshme. Kjo vlen edhe për mbështetjen e Ukrainës. Ai shtoi se “rruga drejt një paqeje të drejtë kalon përmes forcës, jo përmes dobësisë”.

Ndërsa ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha në ceremoni se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka hequr çdo dyshim për rëndësinë e NATO-s. Ai shtoi se “samiti i NATO-s në Hagë dërgon një mesazh shumë të qartë: Neni 5 është i paprekshëm”. Neni 5, siç dihet, fikson se “një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve”.  Pistoriusi kërkoi që “evropianët të marrin përsipër më shumë përgjegjësi” dhe shtoi: “Gjermania do të marrë drejtimin.”

Mediat britanike shkruajnë këto ditë se në plan afatmesëm, siguria e Evropës do të varet nga Britania e Madhe dhe Franca, pasi investimet për ushtrinë gjermane duan kohë të japin rezultat …

Britania e Madhe dhe Franca kanë ushtri me natyrë intervencioniste. Të dyja vendet janë edhe fuqi atomike.  Për një Evropë në luftë, aktualisht këto dy vende ofrojnë me të vërtetë siguri.

Por mendoj se nuk duhen nënvlerësuar kapacitetet dhe tradita e ushtrisë gjermane. Gjermania ka aktualisht mbi 182 mijë (182.496) ushtarë aktivë; përballë 184 mijë ushtarëve (184.860) që ka Britania e Madhe; dhe 200.000 ushtarëve që ka Franca.

Gjermania paraqiti këtë javë edhe projektligjin për riaktivizimin e shërbimit ushtarak, fillimisht shërbim vullnetar, por me opsionin për ta bërë të detyrueshëm. Gjermania po dërgon një brigadë të përhershme me 5000 ushtarë në Lindje të Evropës, në Lituani.

Edhe mediet britanike i shohin Britaninë e Madhe dhe Francën si sigurinë kryesore të Evropës në një plan afatmesëm, pra për 3-5 vitet e ardhshme.

Por një analist i gazetës britanike, Financial Times shkroi se afër fundit të kësaj dekade, po të respektohen planet e shpenzimeve të Gjermanisë dhe shteteve të tjera të NATO-s, kundërshtarët (ai përmend Rusinë), do të përballeshin me një Evropë që është thjesht shumë e frikshme për t’u testuar.

Megjithëkëtë, le të shpresojmë që të mos ndodhemi asnjëherë para situatave të tilla. Dhe që iniciativat për paqen, të kenë sukses.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb