Erdhi tre ditë më parë dhe u nda nga jeta në vendin ku shërbeu si ambasador për 3 vite, 1987-1990. Papritur, ish-ambasadori gjerman, Wener Daum ndërroi jetë në Kavajë, në moshën 82-vjeçare. Shqipëria ishte vendi të cilin ai e deshi shumë, ku edhe dha frymë për herë të fundit.
Mësohet se ai u gjet i pajetë mëngjesin e sotëm në dhomën e hotelit, në Kavajë ku po qëndronte prej 3 ditësh. Të enjten mori pjesë në aktivitetin për inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë Josif Budo, me rastin e 35-vjetorit të rënies së tij.
Dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë natyral. Gjatë viteve 1987-1990, Wener Daum ishte ambasador në Tiranë dhe njihet për rolin e tij të veçantë, duke hapur dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët kundër urdhrave të qeverisë së tij, me bindjen se kjo do të ndihmonte në rrëzimin e regjimit komunist.
Daum ishte pjesë e aktivitetit për inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë Josif Budo në Kavajë.
Ndërsa në një intervistë në media ditët e fundit, Daum rrëfeu me emocion angazhimin e tij të jashtëzakonshëm kundër regjimit komunist, duke pranuar se kishte vepruar i vetëm kundër qeverisë së tij për t’i hapur dyert shqiptarëve drejt lirisë.
Si ambasador në Shqipëri nga viti 1987 deri në 1990, Daum hapi dyert e Ambasadës gjermane në Tiranë për shqiptarët që kërkonin shpresë dhe liri. Në 2 korrik 1990, urdhrat e Qeverisë gjermane ishin të kundërta me bindjen e Daum i cili këmbënguli se shqiptarët që arratiseshin nga regjimi komunist, duke u dyndur drejt ambasadave, duheshin ndihmuar.
Werner Daum u bë një mbështetje e fuqishme për popullin shqiptar në një nga periudhat më të vështira të historisë së tij.
Bashkia e Kavajës i dorëzoi ish-ambasadorit “Certifikatën e Mirënjohjes” për kontributin e dhënë në ngjarjet e 2 korrikut 1990 dhe strehimin e përkrahjen e 3199 qytetarëve shqiptarë brenda selisë diplomatike të Gjermanisë në Tiranë.
(BalkanWeb)
