Trajneri i njohur gjerman, Joakim Low po mendon seriozisht që të kthehet të drejtojë një skuadër. Low, pasi u largua nga Gjermania pas Europianit 2020, pushoi për një kohë të gjatë, sakaq tani duket i motivuar për t’iu rikthyer botës së sportit.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, 65-vjeçari ka pranuar se ka marrë disa oferta, të cilat po i shqyrton me kujdes. Natyrisht, tekniku do marrë gjithë kohën e nevojshme, për të vendosur më pas se cilën skuadër do udhëheqë. E vetmja gjë që mund të thuhet me siguri është se “timonieri” i njohur e ka ndarë mendjen që të rikthehet.
Alternativat janë të shumta, duke qenë që ka mjaft ekipe të mëdha që do donin që të kishin në pankinë këtë trajner.
Low ka fituar me Gjermaninë një Kupë Bote në 2014, ndërkohë që momenti më i keq i tij ishte Botërori i Rusisë ku u eleminua që në grupe.
Ai numëron jo pak por 198 ndeshje në krye të përfaqësueses së panzerave, me ekipin që mori mesatarisht 2.09 pikë për ndeshje.
Kujtojmë që para se të merrte frenat e kombëtares, trajnoi klube të tilla si Sttutgart, Fenerbahçe dhe Austria e Vjenës.
