Në emisionin Kjo Javë në News 24, gazetarja Klodiana Lala komentoi shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, duke e cilësuar atë si një “konflikt artificial” të nxitur nga kryeministri për të larguar vëmendjen nga skandalet e tjera.
Gazetarja Lala theksoi se ndërtesat e paligjshme u ndërtuan nën sytë e institucioneve dhe se është e qartë se ka pasur një bashkëpunim me zyrtarë lokalë.
Lala kritikoi qeverinë për reagimin e vonuar dhe e konsideroi këtë aksion si një manovër për të fshehur probleme më të thella të vendit, si dhe për të shmangur vëmendjen nga ngjarje si zjarri në landfillin e Elbasanit.
Klodiana Lala: Mendoj se është një konflikt artificial me prokuroren, një konflikt që kryeministri po e shfrytëzon nga ana e tij për të shfryrë të gjithë skandalin që ka ndodhur në Theth. Është një aksion, i nisur pas denoncimit të një anëtari të Këshillit Bashkiak në Shkodër, që publikoi disa foto të vilave të ndërtuara në atë që quhet “zemra e Thethit”, që ka tërhequr mijëra turistë. Disa vila janë në pronësi të një krimineli në zonë, shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme për vepra të rënda dhe ky është Prekë Kodra. Ndërtimet e paligjshme u ndërtuan nën hundën e institucioneve. Rama hapi një konflikt artificial, duke akuzuar prokuroren në mënyrë direkt, se nuk ka kryer detyrën. Elsa Gjeli është prokurore e re në detyrë, nuk ka as 1 vit që punon në Prokurorinë e Shkodrës. Për mua, kryeministri përdori një gjuhë të ashpër, që cenon pavarësinë e magjistratit. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen se nuk mund të ndërtohet pa leje dhe për çdo pllakë duhet marrë leje pranë autoriteteve. Por nga ana tjetër, banorët në Theth nuk ndërtuan brenda natës. Qeveria lejoi ndërtime pa leje para zgjedhjeve. Kur kryeministri kuptoi se situata kishte dalë nga kontrolli dhe pronarë ishin dhe kriminelë, nisi aksionin dhe nisi këtë konflikt artificial me prokuroren. Zonja Gjeli ka vënë në lëvizje KLP dhe ka kërkuar reagim. Ulsi Manja, ministër drejtësie ka kërkuar procedim penal për znj Gjeli. S’është fajtore vetëm prokurorja këtu.
Nuk ndodh vetëm në Theth kjo, edhe në jug është dhënë investim strategjik mbi prona të vjedhura. Banorët kanë gabuar duke ndërtuar pa leje, por në fund të fundit kanë hedhur para në ato “vila”. Shkohet në Theth me molotov, me kallashnikov për të trembur banorët. Aksioni në kulmin e sezonit turistik sjell imazh negativ të vendit. S’mund të dalë Rama e të thotë se po heq ndërtimet pa leje, a thua se nuk ka qenë kryeministër 12 vite. Shqipëria ka probleme dhe të tjera, edhe zjarri tek landfilli i Elbasanit ishte ngjarja e rëndë. Për të shmangur vëmendjen nga skandalet e vërteta, krijohet konflikt artificial. Të thashë që nuk jam pro atyre që ndërtojnë pa leje, por këto ndërtime pa leje nuk bëhen pa bashkëpunim me zyrtarë lokalë. Shkarkimet e policëve ishin propagandë, sepse drejtorët e policisë vendorë kanë shkuar me punë atje, ndërkohë që ndërtimet pa leje kanë qenë aty. Të vjen keq që është shkatërruar një zonë që është trashëgimi kulturore kombëtare. Përgjegjësit e vërtetë janë Proda, kryeministri që ka 12 vite në pushtet dhe a thua se sot ndërtohet pa leje. Edhe në mes të Tiranës ka dhjetëra ndërtime pa leje.
