Prej disa ditësh situata në Theth është tensionuar pas nisjes së operacionit të IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonë. Banorët kundërshtojnë veprimet e shtetit, pasi thonë që nuk e kanë të mundur që të ndërtojnë me leje pasi u mungojnë certifikatat e pronësisë.

Situata është tensionuar sërish këtë të shtunë teksa ka vijuar aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje. Në zonë shkuan sot edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, përfshirë drejtuesin politik të Shkodrës, Luçiano Boçi, dhe deputetin e zgjedhur të qarkut, Bardh Spahia.

Boçi pohoi se turizmi familjar ka marrë goditjen përfundimtare dhe do të jetë në Theth si opozitë me të gjitha mjetet për të reaguar, për të mbrojtur banorët e zonës.

“Turizmi familjar ka marrë goditje përfundimtare. Siç shihet prishjet këtu janë selektive, policia dhe IKMT janë në kundërshtim të plotë me ligjin. Banorët kanë ndërtuar në tokat e tyre, por kjo nuk përputhet me oreksin e Edi Ramës i cili kërkon të rrëmbejë edhe këtë perlë të natyrës, siç ka bërë me të tjerat.

Këtu nuk ka shtet, sepse të marrësh zvarrë banorët sepse kanë ndërtuar në tokat e tyre, kanë bërë turizëm familjar, këtij nuk i thonë shtet. Të gjithë drejtuesit e IKMT thonë një fjalë, kemi urdhër…nga kush kanë urdhër?

Këtu sundon arroganca e një shteti që qeverisjen e kanë marrë nga bandat. Do të jemi këtu si opozitë me të gjitha mjetet tona për të reaguar. Thirrja ime është të bëhemi bashkë të gjithë burrat e malësisë për ta ndalur këtë valë terrori” – u shpreh Boçi.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb