Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është takuar në mbrëmjen e së shtunës me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan në Prishtinë, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet biletarale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Kryeministria, palët kanë diskutuar në një darkë pune edhe për zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”, është cituar të ketë thënë Kurti sipas komunikatës.
Takimi është zhvilluar në rezidencën e të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.
Pjesë e takimit kanë qenë edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq.
Para vizitës në Kosovë, Hanrahan ka realizuar vizita në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, dhe është zyrtari më i lartë që ka vizituar rajonin e Ballkanit prej administratës së re amerikane.
Kurti është zyrtari i dytë i lartë nga Kosova që ka takuar Hanrahanin, pasi ditë më parë ai ka realizuar takime edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Uashington.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se bashkë me zyrtarin amerikan kanë diskutuar për “thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.
(BalkanWeb)
