Tarifat prej 30% të shpallura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbi importet nga Bashkimi Evropian mund t’u kushtojnë familjeve amerikane dhe sektorit të agrobiznesit italian deri në 2.3 miliardë euro, vlerësoi të shtunën sindikata kryesore që përfaqëson këtë të fundit.
Donald Trump njoftoi të shtunën se tarifat prej 30% do të vendosen mbi produktet e importuara në SHBA nga Meksika dhe BE-ja, pavarësisht negociatave që janë duke u zhvilluar për ta shmangur këtë deri në një afat të ri që ai vendosi (1 gusht).
Sipas një deklarate nga shoqata Coldiretti, “ndikimi në aspektin e çmimeve për konsumatorët amerikanë do të ketë në mënyrë të pashmangshme ndërlikime për kompanitë italiane” në këtë sektor.
“Ulja e konsumit në mënyrë të pashmangshme përkthehet në produkte të pashitura për kompanitë italiane, të cilat do të detyrohen të kërkojnë tregje të reja”, shpjegoi ajo, duke theksuar “rrezikun e falsifikimit” dhe faktin se SHBA-të “janë prodhuesi më i madh në botë i ushqimit me një etiketë të rreme ‘Made in Italy'”.
Sipas parashikimeve të Coldiretti, me tarifat prej 30%, çmimet e disa produkteve emblematike të prodhuara në Itali, siç janë djathërat, verërat, domatet e përpunuara, makaronat e mbushura, ëmbëlsirat si reçelet e konservuara dhe të tjera, do të rriten ndjeshëm.
“Vendosja e tarifave doganore prej 30% për produktet agro-ushqimore evropiane, dhe për rrjedhojë edhe për ato italiane, do t’i japë një goditje të rëndë ekonomisë reale, bizneseve bujqësore (…) por edhe konsumatorëve amerikanë, të cilët do të privohen nga produktet autentike ose do të detyrohen të paguajnë shumë më tepër për to”, komentoi Ettore Prandini, presidenti i Coldiretti, sipas një deklarate nga organi kolektiv.
Zbatimi i këtyre tarifave do të shënonte “dështimin absolut të politikës së (Presidentes së Komisionit Evropian Ursula) von der Leyen”, shtoi ai.
BE-ja, përgjegjëse për negociatat me SHBA-në në emër të 27 shteteve të saj anëtare, kritikoi ashpër njoftimin e Presidentit të SHBA-së Trump, ndërsa siguroi se vazhdon të dëshirojë të përfundojë një marrëveshje tregtare me Uashingtonin.
(BalkanWeb)
