Anëtarja e kryesisë së Partisë së Lirisë, Miranda Rira, në një deklaratë për mediat i ka cilësuar shkarkimet e drejtorave në disa bashki e njësi administrative, si minim i autonomisë vendore.
Sipas saj, po vihet në pikëpyetje serioze ndarja midis pushteve, pushtetit qendror dhe atij vendor. Rira tha se ligji për vetëqeverisjen vendore 139/2015, përbën kuadrin më të plotë ligjor për funksionimin dhe organizimin e njësive të qeverisjes vendore, ku flitet për një raport të qartë normativ të marrëdhënieve midis qeverisjes qëndrore dhe vendore.
“Thelbi apo parimi kardinal i këtij ligji është ai i decetralizimit apo i ndarjes vertikale të pushteteve që nënkupton ngushtimin e pushteteve të qeverisjes qendrore, pra qeveria bëhet më e dobët dhe zgjerimin e kompetencave dhe pushteteve të njësive të vetëqeverisjes vendore, pra bashkitë bëhen më të forta.
Pushteti rrjedh nga lart poshtë, duke synuar një qeverisje sa më efikase, sa më pranë qytetarëve, ku këta të fundit edhe marrin pjesë në qeverisje dhe vendimarrje, me fjalë të tjera ata vetëqeverisen.
Kjo tregon për një rritje të demokracisë lokale, dhe sa më e shëndoshë demokracia lokale aq më e shëndoshë është demokracia në tërësi.
Decentralizimi është parimi sipas të cilit përgjegjësia dhe autoriteti transferohen nga kabineti qeveritar drejt njësive të qeverisjes vendore. Në ligjin nr.139/2015-të për qeverisjen vendore përcaktohet qartë në Nenin 1 se kush janë funksionet dhe kompetencat e njësive të qeverisjes vendore, se c’është administrimi i njësive vendore, c’është autonomia vendore”, u shpreh ndër të tjera përfaqësuesja e PL-së.
(BalkanWeb)
