Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ka vendosur të pezullojë menjëherë nga detyra Ministrin e Policisë, Senzo Mchunu, pas akuzave serioze për lidhje me krimin e organizuar dhe ndërhyrje në hetime zyrtare.
Në një fjalim të drejtpërdrejtë të dielën mbrëma, Ramaphosa njoftoi se një komision gjyqësor do të hetojë akuzat që, sipas tij, “minojnë kushtetutën dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare”.
Ai emëroi profesorin e drejtësisë, Firoz Cachalia, si ministër të përkohshëm të Policisë, derisa të përfundojnë hetimet.
Mchunu, 67 vjeç, një figurë me ndikim në radhët e partisë në pushtet ANC (Kongresi Kombëtar Afrikan), i ka mohuar akuzat dhe tha në një deklaratë se “është i gatshëm të përgjigjet ndaj çdo pretendimi”. Ai shtoi se “nderi dhe integriteti” janë vlera që ai i mbron dhe i respekton.
Akuzat dolën në publik javën e kaluar nga kreu i policisë së provincës KwaZulu-Natal, Gjeneral Nhlanhla Mkhwanazi, i cili pretendoi se Mchunu kishte marrë mbështetje financiare nga një biznesmen i dyshuar për korrupsion për të financuar aktivitetet e tij politike.
Sipas Mkhwanazit, Mchunu kishte ndërhyrë në punën e një task force të krijuar në vitin 2018 për të hetuar vrasjet politike – kryesisht në KwaZulu-Natal – dhe kishte urdhëruar shpërbërjen e saj në mënyrë të koordinuar, sapo hetimet nisën të preknin figura të rëndësishme politike, zyrtarë të policisë dhe biznesmenë të lidhur me një rrjet droge.
Gjenerali tha gjithashtu se Mchunu kishte urdhëruar heqjen e 121 dosjeve hetimore nga ky ekip pa autorizimin e Komisionerit të Përgjithshëm të Policisë, Gjeneral Fannie Masemola. “Këto dosje qëndrojnë në zyrën qendrore që nga muaji mars, pa asnjë përparim në hetime. Pesë prej tyre kishin tashmë urdhër-arreste në proces”, deklaroi ai.
Një prej emrave të përfshirë në skandal është Vusimuzi Matlala, një biznesmen i dyshimtë që kishte një kontratë fitimprurëse me policinë, e cila u ndërpre pasi ai u arrestua në maj për tentativë vrasjeje. Mkhwanazi publikoi mesazhe dhe prova të pagesave të kryera nga Matlala në favor të Mchunu-t.
Presidenti Ramaphosa tha se komisioni gjyqësor, i udhëhequr nga zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, do të hetojë jo vetëm Mchunu-n, por edhe ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të policisë si dhe anëtarë të kabinetit kombëtar.
Ramaphosa është përballur me presion të madh publik për të vepruar ndaj këtij rasti me profil të lartë, që ka tronditur besimin ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit në vend.
