Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) njoftoi se ka vrarë disa anëtarë të një qelize sekrete të Shërbimit Federal të Sigurisë ruse (FSB), të cilët dyshohen për vrasjen e kolonelit ukrainas Ivan Voronych në Kiev, javën e kaluar.
Në një deklaratë të publikuar në Telegram, SBU tha se operacioni kishte për qëllim arrestimin e agjentëve rusë, por se ata rezistuan gjatë aksionit dhe për këtë arsye “u eliminuan”.
Voronych, vetë oficer i lartë i SBU-së, u qëllua për vdekje në mes të ditës në rrugët e kryeqytetit ukrainas të enjten e kaluar – një akt i cili u kap nga kamerat e sigurisë dhe që tronditi institucionet ukrainase të sigurisë.
SBU nuk specifikoi numrin e saktë të agjentëve të dyshuar të FSB-së të vrarë në operacion, por publikoi një video ku shfaqeshin dy trupa të pajetë. Mediat raportojnë se një burrë dhe një grua ishin dyshuar si autorët kryesorë të vrasjes.
Sipas SBU-së, dy të dyshuarit kishin ndjekur lëvizjet e kolonelit me urdhër të një mbikëqyrësi rus, i cili u kishte dërguar koordinatat e një vendi ku ata gjetën një armë me silenciator – më pas e përdorën për të kryer atentatin.
Pas vrasjes, dyshuarit ishin përpjekur të fshiheshin, por u gjurmuan dhe u neutralizuan nga shërbimet speciale ukrainase dhe policia.
Koloneli Voronych dyshohet se ishte i përfshirë në operacione të fshehta brenda territoreve të pushtuara nga Rusia, si dhe në organizimin e një inkursioni surprizë në rajonin rus të Kurskut vitin e kaluar.
