Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë lagjen e Shimve në bashkinë Rrogozhinë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe të gjelbërta dhe duke vënë në rrezik banesat përreth. Si pasojë, janë djegur rreth 10 hektarë me bimësi, qindra pemë ulliri dhe pemë frutore.
Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses ndërhynë menjëherë pas njoftimit për përhapjen e flakëve dhe, pas disa orësh përpjekjesh intensive, arritën të lokalizojnë dhe të shuajnë zjarrin.
Nga hetimet paraprake rezultoi se zjarri ishte shkaktuar nga një banor i zonës, 41-vjeçari I. R., i cili po punonte në oborrin e një banese dhe kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturina. Era e fortë e ka përhapur flakën në një sipërfaqe të madhe, duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe duke rrezikuar banesat e afërta.
Falë reagimit të shpejtë, Policia arriti të identifikojë, kapë dhe arrestojë autorin e dyshuar për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i mjedisit pyjor”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
