Egnatia do të zbresë në fushë të martën për sfidën më të rëndësishme të kësaj vere, atë ndaj Breidablik, me objektivin për të mbrojtur fitoren minimale 1-0 të arritur në takimin e parë në Shqipëri. Edhe pse diferenca është shumë e ngushtë dhe gjithçka mbetet e hapur, trajneri Edlir Tetova ka besim të plotë se skuadra e tij mund ta menaxhojë me sukses këtë sfidë, duke u mbështetur te pika më e fortë, mbrojtja.

MBROJTJE HERMETIKE – Në pesë ndeshjet e fundit, tri zyrtare dhe dy miqësore gjatë fazës përgatitore, Egnatia nuk ka pësuar asnjë gol. Ky është një tregues i qartë i rritjes dhe përmirësimit të fazës mbrojtëse, një aspekt ku Tetova ka punuar shumë që nga grumbullimi i parë veror. Miqësoret kundër CSKA 1948 dhe ekipit bullgar Farul, ishin një test i vlefshëm, jo vetëm për ngarkesën fizike, por edhe për të ndërtuar sigurinë e duhur në prapavijë, pavarësisht se nuk u shënuan shumë gola.

Këtyre dy takimeve të kontrollit iu shtuan edhe tri sfidat zyrtare, finalja e kampionatit ndaj Vllaznisë, gjysmëfinalja ndaj Partizanit dhe ndeshja e parë ndaj Breidablik, ku mbrojtja sërish funksionoi në mënyrë perfekte, duke e ruajtur portën të paprekur. Me lojtarë të konsoliduar në prapavijë dhe një strukturë të qartë mbrojtëse, Tetova po i jep prioritet qëndrueshmërisë dhe disiplinës, duke ditur se në përballje të tilla europiane, shpesh janë detajet që bëjnë diferencën.

Ndaj Breidablik në ndeshjen e kthimit, Egnatia do të jetë nën presionin e vendësve, por skema e Tetovës pritet të mbetet e ngjashme: kompakte në mbrojtje dhe me përpjekje për të goditur në kundërsulm. Fakti që skuadra nuk ka pësuar gol prej më shumë se 450 minutash, është një sinjal pozitiv për trajnerin, që do të mbështetet te ky soliditet për të siguruar një nga sukseset më të mëdha në historinë e klubit, kualifikimin në turin e dytë të Champions League.

DILEMAT – Në prag të sfidës së kthimit ndaj Breidablik, një nga dilemat më të mëdha për trajnerin Tetova lidhet me zëvendësimin e Edison Ndrecës, i cili u dëmtua në ndeshjen e parë dhe nuk do të jetë i gatshëm për këtë përballje. Largimi i tij është një humbje jo vetëm në aspektin mbrojtës, por edhe në ndihmesën që jepte në fazën ofensive në krah. Megjithatë, stafi teknik ka dy alternativa në tavolinë për të mbuluar boshllëkun e lënë në krahun e majtë të mbrojtjes.

Zëvendësimi mund të vijë kokë më kokë me Alijevin, një lojtar me karakteristika të ngjashme, që ka qenë në dispozicion gjatë fazës përgatitore dhe njihet për qëndrueshmëri taktike. Opsioni tjetër është futja e Poçit në fushë dhe ndryshimi i skemës me tre mbrojtës, një vendim që Tetova e ka provuar edhe në sfidën e parë, kur skuadra në fazat pa topin shpesh mbrohej me tre qendrorë. Zgjedhja përfundimtare do të varet nga mënyra se si Tetova do të projektojë ndeshjen: me një linjë klasike katërsh në mbrojtje ose me tre qendrorë, për të pasur më shumë mbulim dhe fuqi ajrore ndaj islandezëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb