Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë se ka arritur një marrëveshje për t’i shitur armë NATO-s për të ndihmuar Ukrainën.
Duke folur nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë në një konferencë të përbashkët me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump u shpreh se është shumë i pakënaqur me qëndrimin e Rusisë dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin hapa të rreptë ekonomikë.
“Nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditësh, ne do të vendosim tarifa dytësore prej rreth 100% ndaj Rusisë,” tha Trump, duke shtuar se këto masa synojnë të ushtrojnë presion maksimal për ndaljen e konfliktit.
Trump njoftoi gjithashtu një marrëveshje të re me NATO-n, në kuadër të së cilës Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë Aleancën me armë të avancuara, që më pas do t’i shpërndahen Ukrainës. Ai sqaroi se anëtarët e NATO-s do të paguajnë për këtë ndihmë, dhe jo taksapaguesit amerikanë.
“Sot kemi bërë një marrëveshje ku do t’u dërgojmë atyre armë dhe ata do të paguajnë për to,” tha Trump.
“Lufta duhet të ndalet. Këto janë pajisje ushtarake me vlerë miliarda dollarë që do të blihen nga Shtetet e Bashkuara, do të shkojnë në NATO dhe do të shpërndahen shpejt në fushën e betejës.”
Në mesin e armëve të përmendura janë edhe bateritë e raketave Patriot, të cilat, sipas tij, do të dërgohen “brenda ditësh” dhe do të fillojnë të mbërrijnë “së shpejti”.
Kërcënimi i Trump vjen në një moment kyç për konfliktin në Ukrainë, ku përpjekjet diplomatike janë intensifikuar, por pa ndonjë përparim të dukshëm.
