Vijon në Gjykatën e Posaçme gjyqi për “Plumbin e Artë”.
Gjatë seancës së sotme, ka dëshmuar i penduari i drejtësisë Skerdi Tase, i cili mes të tjerash ka treguar se si është njohur me Henrik Hoxhajn nëpërmjet një miku të përbashkët.
“Për herë të parë jemi takuar në 2017. Shoku Viron Tavanxhi me takoi me Henrikun për të bërë ekzekutimin e një personi në Fier. Për ngjarjen Hebriku kishte një makinë “Alfa Romeo” të blerë në Fier dhe një pistoletë automatike.
Ditën e ekzekutimit, Henriku më thirri dhe më tha se porositësi i kishte thënë “shumë po e zgjasni atë punë””, tha ai.
Më tej Tase ka sqaruar se edhe rrethanat e krimit. Sipas tij porosia për vrasjen e Hajredin Beharit është dhënë nga Viron Tavanxhi.
Ai u shpreh se fillimisht kanë shkuar në lokal ku kanë gjetur shënjestrën, i cili e ka kuptuar që kishin shkuar posaçërisht për të.
“Unë mora armën dhe shkova atje. Ai personi e kuptoi që isha për të. Ai u çua në këmbë, bërtiti me të madhe dhe u shtri poshtë. Unë mendova se e qëllova dhe u largova nëpër rrugicat e qytetit”, tha ai, ndërsa ka rrëfyer edhe se armën e krimit e ka hedhur në Gjanicë.
