Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, ku u kërkua që të gjithë tregtarët të shesin me kupon tatimor produktet e qumështit dhe ato bujqësore e blegtorale, nuk kanë munguar reagimet nga fermerët dhe tregtarët ambulantë, veçanërisht në qytetin e Beratit.
Shumë prej tyre që tregtojnë çdo ditë në tregun fshatar të qytetit, shprehen se vendimi është i padrejtë dhe i pazbatueshëm, pasi ata vijnë në treg me sasi shumë të vogla produktesh të fushës apo bulmeti, të cilat prodhohen në kushte shtëpiake.
“Jemi kundër kuponit tatimor! Ne shesim prodhime bio fushe, me sasi shumë të vogla. Ky vendim na godet drejtpërdrejt. Kjo nuk është qeveri, kjo është një bandë kriminelësh”, – shprehen disa nga tregtarët e irrituar në Berat.
Fermerët thonë se shteti duhet të sigurojë fillimisht kushtet për tregtim, si infrastrukturë, ambiente të përshtatshme dhe trajnim për fiskalizim, e më pas të kërkojë zbatimin e kuponit tatimor. Ata theksojnë se shumica prej tyre nuk kupton fare procedurat e fiskalizimit,
pasi vijnë nga zona të thella rurale dhe nuk kanë as qasje në teknologji, as mundësi për të ndjekur praktikat e reja ligjore.
“Nuk dimë çfarë të bëjmë, si të shesim në këtë mënyrë. Ne vijmë nga fshatrat, sjellim produkte të fushës, djathë dhe gjizë që i prodhojmë vetë. Nuk kemi baxho, sepse punojmë me sasi të vogla dhe nuk dimë çfarë fature duhet të japim. I paguajmë shtetit të gjitha taksat, edhe taksën e tokës”, shprehen fermerët e Beratit.
Një tjetër tregtar, më i revoltuar, shton:
“Ne nuk duam asgjë, as ujë, as bukë… vetëm të na rrojë Edi Rama! Kjo nuk është qeveri, kjo është një bandë kriminalësh.”
Prej ditës së djeshme, pas hyrjes në fuqi të vendimit për kuponët, tregtarët ambulantë janë zhdukur nga rrugët e Beratit, ku zakonisht shisnin çdo ditë. I vetmi vend ku tregtohet ende është tregu fshatar në hyrje të qytetit.
Fermerët kërkojnë rishikimin e vendimit dhe konsiderimin e veçantisë së tyre si prodhues të vegjël të produkteve bio, në mënyrë që mos të humbin të vetmen mundësi për të mbajtur familjet me të ardhura.
