Në Elbasan është regjistruar një precedent që mund të shënojë fillimin e një beteje të gjatë ligjore për drejtësi mjedisore në Shqipëri.
Fatmira Sejrani, 63 vjeç, një qytetare e thjeshtë, por me guxim të rrallë ka ngritur padinë e parë civile kundër ndotjes së mjedisit në vend. E sëmurë prej 15 vitesh nga asma bronkiale, Fatmira e lidh sëmundjen e saj drejtpërdrejt me ndotjen katastrofike të ajrit në qytetin e Elbasanit.
“Dikur përdorja pompën mjekësore një herë në ditë, tani e përdor dy herë. Kur ajri bëhet i padurueshëm, më duhet ta përdor 5-6 herë në ditë. Jam lodhur të mbijetoj në qytetin tim”, thotë ajo me lot në sy.
Padia e saj kërkon konstatimin e cenimit me faj të mjedisit, detyrimin solidar të institucioneve dhe subjekteve ndotëse për të shpërblyer dëmet shëndetësore, morale dhe mjedisore ndaj saj, marrjen e masave parandaluese për të ndaluar përsëritjen e tragjedive të tilla në të ardhmen.
Avokati dhe aktivisti Gentian Serjani, drejtues i “Drejtësi Sociale” dhe përfaqësues i komunitetit egjiptian, i cili përfaqëson Fatmira Sejrani në këtë betejë ligjore, shprehet: “Kjo është vetëm padia e parë. Do të pasohet edhe nga të tjera. Ne nuk do të lejojmë që ndotësit të fshihen më pas heshtjes. Eco Elb, Bashkia Elbasan dhe të gjithë subjektet industriale ndotës në këtë njësi vendore duhet të mbajnë përgjegjësi. Ndotësi duhet të paguajë!”.
Sejrani thekson një të vërtetë të dhimbshme, por të njohur nga banorët e Elbasanit, rastet me sëmundje të rënda si kanceri janë shtuar ndjeshëm dhe në shumë raste, përballja me pasojat bëhet në heshtje dhe varfëri ekstreme. Ky veprim i Fatmira Sejranit nuk është vetëm një thirrje për drejtësi personale, është një alarm për të gjithë qytetarët dhe institucionet. Ndotja nuk është më një çështje statistikash. Është çështje jete.
