Në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24 me autoren Evis Ahmetin është trajtuar historia e një 68-vjeçareje e cila rrëfeu disa ditë më parë se pas djegies së banesës ajo së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët e djalit jetojnë në qiell të hapur.
Ajo shprehet se aktualisht po lufton në seancat gjyqësore për të marrë nipërit dhe mbesat nga institucionet. 68-vjeçarja në studio tha se fëmijët kur kanë ardhur nga institucionet në Shkodër kanë qenë të traumatizuar.
Sipas saj fëmijët kanë trauma edhe nga fjalori i pahijshëm që punonjësit kishin përdorur. Më tej, 68-vjeçarja shtoi se kur kishte shkuar në komisariat kishte dëgjuar ulërimat e fëmijëve dhe se nipi i vogël i kishte thënë se do të dërgoheshin në institucion.
“Ditën e premte fëmijët që kur kanë ardhur nga Shkodra kanë qenë me trauma. Ata janë kthyer me vendimin e gjykatës në dhjetor. Institucionet kanë ardhur edhe në shtëpi dhe ata ishin të frikësuar se do të shkonin përsëri atje. Ata kishin trauma nga fjalori i pahijshëm i cili është përdorur prej tyre. Ditën e premte vjen punonjësja e institucionit dhe tha se mami do vinte tek komisariati. Kur kam shkuar në shtëpi kam dëgjuar ulërimat e fëmijëve. Në atë moment fëmija i vogël ra tek gjoksi im duke thënë se do e merrnin”, tha ajo.
Gjatë fjalës së saj në studio e moshuara rrëfeu se pasi kishte dalë në oborr me nipin e saj dhe punonjësja e njësisë 8 e kishte telefonuar duke i thënë se duhet që të kthente nipin në komisariat, përndryshe edhe 68-vjeçarja do të procedohej.
“E mora djalin dhe e nxorra në oborr duke i hedhur edhe ujë me akull që të vinin në vete. Unë nuk kam penguar që nëna të takojë fëmijët e saj. Ata e kishin marrë në telefon që të shkonte të merrte fëmijët por e kishin bërë skenën që ata të ktheheshin përsëri tek institucionet. Djali i vogël vuan nga sëmundja e tokës dhe mendova se i kishte ndodhur diçka nga ulërimat që dëgjova nga komisariati. Kur dola përjashta ai më tha se ai nuk do rrinte më atje dhe më mori në telefon ajo e njësisë 8 dhe më tha të ktheja fëmijën atje ose do më procedonte edhe mua. Fëmija i vogël ka ikur nga dritarja dhe ka ardhur tek unë. Nusja në momentin që është djegur shtëpia ka ikur dhe nuk është kthyer”, përfundoi 68-vjeçarja.
(BalkanWeb)
