Në prag të sfidës së kthimit ndaj Breidablik, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, është i detyruar të bëjë disa rregullime në formacionin titullar për shkak të mungesave të rëndësishme. Ekipi kampion i Shqipërisë do të duhet të menaxhojë pa dy nga lojtarët e formacionit bazë: mbrojtësin e majtë Edison Ndreca, i cili mungon për shkak dëmtimi, dhe mesfushorin Regi Lushkja, që është i pezulluar për shkak kartonësh.

Në vend të Ndrecës në të majtë të mbrojtjes pritet të aktivizohet për herë të parë si titullar në Europë Zamig Alijev, edhe pse opsion mbetet mbrojtja me tre, duke aktivizuar edhe Poçin në vend të Ndrecës. Sakaq, roli i Lushkjes në mesfushë pritet të mbulohet nga braziliani Leo Melo, edhe pse nuk mungojnë as alternativat e Grudës që të luajë pas sulmuesit të parë. Këto dy zëvendësime janë të detyruara dhe Tetova është duke i skicuar për t’iu përshtatur skemës së zakonshme 4-2- 3-1, me theks te balanca dhe mbështetja e linjave në ndihmë të mbrojtjes.

Në portë konfirmohet Dajsinani, ndërsa në mbrojtje krahas Alijevit në të majtë, do të jenë edhe Xhemajli dhe Sota në qendër, me Fangajn në të djathtë. Mesfusha me dyshen Aleksi–Fernando ofron mbulim dhe shpërndarje topash, ndërsa para tyre do të luajnë Melo, Ujka dhe Selmani, me Guindon në majë të sulmit si pikë referimi. Ky është një formacion që ofron alternativa në ndërtim dhe stabilitet në prapavijë, me Tetovën që kërkon të ruajë rezultatin e ndeshjes së parë dhe të dalë me kualifikim nga një sfidë që mund të bëjë histori për Egnatian. Mungesat janë të rëndësishme, por grupi duket i gatshëm të përballojë sfidën edhe me ndryshime në përbërje.

Screenshot 2025-07-15 125431

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb