Policia e Shtetit ka sekuestruar 4 pasuri me vlerë rreth 287 000 euro, në kuadër të operacionit “Origjina”, të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale jashtë vendit.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Pasuritë e sekuestruara janë: 2 apartamente dhe 2 automjete, në pronësi të shtetasit A. L., 53 vjeç, i cili rezulton i dënuar nga autoritetet italiane me 9 vjet burg dhe 60 000 euro gjobë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Pasuritë dyshohet se janë krijuar përmes kësaj veprimtarie kriminale në Itali dhe më pas janë investuar në Shqipëri.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e hetimeve.
