Aksioni kombëtar për lirimin e hapësirave publike ka hyrë në një tjetër fazë edhe në qytetin verior të Shkodrës. Kryetari i Bashkisë, Benet Beci, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se një pjesë e bizneseve kanë nisur lirimin vullnetar të hapësirave që i përkasin qytetarëve.

“Policia Bashkiake ka njoftuar të gjitha subjektet që të lirojnë hapësirat publike që kanë zënë në mënyrë të paligjshme. Nëse nuk ka reagim vullnetar, do të veprohet sipas ligjit deri në lirimin e plotë të tyre”, shkruan Beci.

Sipas tij, ky aksion synon të rivendosë funksionin publik të hapësirave urbane, që shpesh janë zaptuar nga biznese të ndryshme, duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe deformuar hapësirën e përbashkët.

Aksioni në Shkodër vjen në kuadër të një nisme të qeverisë për të çliruar hapësirat publike në të gjitha bashkitë e vendit, me qëllim rritjen e standardeve të jetesës dhe funksionalitetit urban.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb