Për herë të parë në his tori, “mbreti” i Uim bëlldonit është nga Italia dhe quhet Janik Siner. Numri një i botës u tregua fenomenal në finalen e së dielës, duke mundur Karlos Alkarazin me rezultatin 3-1 për të merituar trofeun e kompeticionit më prestigjioz, grand slam të tenisit. Një personalitet i akullt, por gjithashtu edhe aq i egër siç nuk është parë asnjë herë më parë, i etur për t’i dhënë energji vetes dhe publikut, që admironte këtë djalë me flokë të kuq që rrotullohej nëpër bar me një lehtësi dhe teknikë fine.
Janik në Uimbëlldon shkoi përtej personalitetit të tij të akullt, duke i bërë edhe më shumë për vete fansat. 23-vjeçarit i duhej pikërisht ky lloj guximi për të fituar ndeshje të këtij kalibri, teksa përballë kishte një kundërshtar si Karlos Alkaraz. Spanjolli u përpoq të bënte për vete turmën, duke kërkuar të përsëriste suksesin e pak javëve më parë në Roland Garros kundër rivalit italian, por këtë herë, gjestikulacionet e tij, lëvizjet e tij të përsëritura ranë në vesh të shurdhër. Sepse topi po i vinte nga ana tjetër me forcë dhe saktësi gjithnjë e më të madhe.
Në fund, Karlitos dukej pothuajse i dorëzuar përballë një vendosmërie të tillë. Ai sigurisht nuk e kishte pritur që Siner të ishte në këtë nivel. Duke fituar setin e parë, ndoshta Alkaraz priste një ndeshje më të lehtë, por realiteti brutal ishte ndryshe. ATP – Me fitoren e madhe në Uimbëlldon, Janik Siner i konsolidon edhe më shumë pozitat e tij në krye të renditjes ATP. Numri një i botës ka fituar 1,600 pikë mbi Karlos Alkarazin.
Siner fillon javën e tij të 58-të në vendin e parë të renditjes së ATP, duke e kaluar spanjollin me më shumë se 3,000 pikë, për të dyfishuar në mënyrë efektive edhe epërsinë ndaj Aleksandër Zverev, i cili aktualisht renditet numri 3 në botë. Megjithatë, sezoni në fushën me çimento do të jetë vendimtar për të konfirmuar arritjet e vitit të kaluar. Siner do të duhet të mbrojë pikët e fituara në vitin 2024: përveç 200 pikëve të fituara në çerekfinalet e Torontos, ai fitoi gjithashtu Cincinnati Masters (1,000) dhe, më e rëndësishmja, US Open (2,000 pikë).
Është e sigurt që Janik duhet të mbërrijë në Flushing Meadows si numri një i padiskutueshëm, por ekziston edhe rreziku i largimit nga Shtetet e Bashkuara me një rënie të lehtë në renditje. Në fakt, Alkaraz nuk ka shumë pikë për të mbrojtur këtë verë, falë rezultateve të tij të dobëta sezonin e kaluar. Spanjolli arriti në raundin e dytë në Cincinnati (10 pikë) dhe në US Open (50 pikë). Nëse ai performon më mirë se Siner, mund ta ngushtojë hendekun në renditje dhe të sfidojë vendin e parë të italianit, Siner ka si objektiv ta ruajë kryesimin e tij deri në fund të vitit dhe, pasi ka arritur Xhim Kurier për numrin e javëve në krye të renditjes, synon të barazohet me 72 javët e Stefan Edberg.
