Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe anëtar i Partisë Socialiste, Endrit Braimllari, ka komentuar valën e dorëheqjeve që kanë përfshirë drejtues të pushtetit vendor në të gjithë vendin, pas ultimatumit të dhënë nga kryeministri Edi Rama.
I ftuar në studion e News24, Braimllari i cilësoi këto lëvizje si “rifreskime të nevojshme” që vijnë pas fitores historike të PS në zgjedhjet e 11 majit.
“Fitorja me 83 mandate nuk është thjesht një sukses elektoral, por një përgjegjësi shumë më e madhe ndaj qytetarëve. Kemi nevojë për energji të reja dhe angazhim më të madh për të përmbushur pritshmëritë e publikut,” tha Braimllari.
Ai theksoi se kryeministri Rama ka përcaktuar një axhendë të qartë pas 11 majit, duke kërkuar vazhdim të punës dhe jo pushime. Sipas tij, reformat që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rrugëtimin europian të vendit kërkojnë riorganizime të brendshme.
“Kryeministri u ka kërkuar deputetëve dhe kandidatëve që nuk fituan të angazhohen në terren, të dëgjojnë qytetarët dhe të identifikojnë problematikat reale. Kjo është pjesë e aksionit politik në funksion të axhendës europiane të Shqipërisë,” shtoi Braimllari.
