Babai i një prej pengjeve izraelite që u morën nga Hamasi më 7 tetor 2023 ka ardhur në Tiranë. Në takimet me drejtues të institucioneve shqiptare, ai ka kërkuar ndihmë për të mësuar fatin e të birit.

I biri 18-vjeçar i Alon Nimrodit, u mor peng nga Hamasi në Izrael në 7 tetor të vitit 2023. Pothuaj dy vite më vonë, fati i tij ende nuk dihet ndërsa imazhi i fundit që Nimrodi ka në mendje, është një video e Hamas, ku shihet i biri. Së fundmi, ai ka ardhur në Tiranë për të kërkuar ndihmën e shtetit shqiptar që të mësojë fatin e të birit.

“Im bir u mor peng ndërsa ishte në një bazë ushtarake si vullnetar. Ishte i paarmatosur dhe është marr me pizhama, pa këpucë dhe pa syze. Para se të merrej peng, I ka çuar një mesazh të ëmës, ku i thotë se ka një sulm e do t’i evakuonin, por më pas ne pamë një video të Hamasit ku shihej që ai ishte marrë peng” – tha Nimrod.

Në Shqipëri, përveç përfaqësuesve të komuniteteve fetare, ai ka takuar edhe drejtues të shtetit, mes të cilëve përmend kryetaren e kuvendit, së cilës i ka kërkuar ndihmë për të mësuar fatin e djalit të tij, duke kërkuar ndihmë nga kolegët turq.

“Shqipëria është një vend i vogël por i fortë dhe përgjatë historisë i ka mbështetur hebrenjtë. Ne duam që Shqipëria të bëjë përpjekjet e saj për pengjet. Ky nuk është poster, është imazhi i tim, biri, një qenie njerëzore, një shpirt. Në dhomën e tij kemi gjetur këtë shënim ku thuhet: Ndihmo sa më shumë njerëz, bëj miq të mirë dhe mos lëndo askënd” – përfundon babai i pengut izraelit.

Ndërsa shprehet se nuk i intereson politika, ai kërkon një marrëveshje që I sjell pengjet në shtëpi, ndërsa kujton se i biri është pengu më i ri në moshë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb