“Jemi duke biseduar me BE-në dhe po bëjmë progres.” Këto janë fjalët e fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, teksa paralajmëroi se tarifat prej 30% për mallrat nga blloku do të diskutohen.
Bashkimi Evropian ka dërguar një ekip ekspertësh të tregtisë në Uashington për bisedime në nivel teknik, ndërsa presioni rritet për të siguruar një marrëveshje me administratën Trump – përpara se tarifat ndëshkuese të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
“Jemi duke biseduar me BE-në dhe po bëjmë progres. Por, ne tashmë kemi një marrëveshje me BE-në. Është letra që i dërguam. Tarifa për BE-në ishte 30%. Por ne, në të njëjtën kohë, po bisedojmë”, u tha Trump sot gazetarëve.
Brukseli kërkon të shmangë tarifat prej 30% për mallrat e BE-së, të njoftuara nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha gjatë fundjavës se do t’i vendoste këto tarifa nëse BE-ja nuk bënte lëshime të mjaftueshme.
Në rast se SHBA-ja miraton tarifat e reja më 1 gusht, BE-ja ka sinjalizuar se do të hakmerret me kundërtarifa.
(BalkanWeb)
