20 muaj pritje, 20 muaj vuajtje dhe probleme fizike. Më në fund, Jude Bellingham vendosi t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale duke i dhënë fund këtij makthi. Mesfushori i Real Madrid vuante prej kohësh nga një problem në shpatullën e majtë, pas një dëmtimi të pësuar në nëntor të 2023 në takimin kundër Rayo Vallecano.

Pavarësisht dhimbjeve të mëdha, Jude Bellingham nuk u ndal, nga ajo ditë deri sot, Bellingham ka zhvilluar plot 100 ndeshje, 86 me Real Madrid dhe 14 me përfaqësuesen angleze. Jude nuk iu nënshtrua ndërhyrjes në kohë pasi nuk dëshironte të dëmtonte klubin dhe ekipin përfaqësues, por zgjodhi të luaj me një protezë në shpatull: “Durimi ka përfunduar. Tani dua vetëm të ndihem i lirë, pa dhimbje”, u shpreh Bellingham pas ndeshjes kundër Pachuca-s në Botërorin e Klubeve.

Kjo ndërhyrje që mesfushori iu nënshtrua pritet ta mbajë jashtë fushës së lojës për të paktën 2-3 muaj. Në këtë mënyrë, sipas mediave, Bellingham pritet të mungojë në tetë javët e para në La Liga dhe në 2 ndeshjet e para në Champions League. Kjo është një goditje shumë e fortë për Xabi Alonos pasi duhet të bëjë llogaritë pa një nga lojtarët më të mirë, i pa zëvendësueshëm në mesfushën e Real Madrid.

Me Billingham të parkuar në bokse, Reali prezantoi afrimin e radhës, Alvao Carreras. Anësori i ardhur nga Benfika firmosi një kontratë deri në 2031. Carreras është një produkt i akademisë së Real Madrid, skuadër ku luajti me të rinjtë nga viti 2017 deri në 2020.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb