Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh të qartë për qytetarët që hasin vështirësi në përdorimin e platformës e-Albania për shërbime të ndryshme. Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se ndihma për këto shërbime ofrohet falas nga njësitë vendore në të gjithë vendin.
“Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për asistencë në përdorimin e platformës e-Albania, mund t’i drejtohen zyrave të bashkive apo njësive administrative përkatëse, ku do të marrin ndihmën që u nevojitet, pa asnjë pagesë,” deklaroi Rama.
Ai paralajmëroi se çdo subjekt privat, përfshirë noterë, avokatë apo zyra të tjera, që kërkon pagesë për shërbime të ofruara nga platforma shtetërore është në shkelje të ligjit. “Çdo rast i tillë mund të denoncohet dhe do të sanksionohet deri në heqjen e licencës,” theksoi kryeministri.
