Përgatitjet e Vllaznisë kanë vijuar në kuadër të ndeshjes së kthimit ndaj Daugavpils për turin e parë të Conference League. Shkodranët u mposhtën në duelin e ndeshjes së parë me rezultatin 0-1 dhe tashmë në Letoni do të tentohet përmbysja, për të kaluar në turin e dytë të kompeticionit, që është edhe një objektiv në kampin shkodran. Para këtij dueli, ka një fakt që gëzon trajnerin Martini: është plotësimi i grupit të futbollistëve, me Krymin e Malën që pritet të jenë në fushën e lojës që nga minuta e parë.

Dy mesfushorët që shfaqën probleme fizike në ndeshjen e parë, tashmë duken totalisht të rikuperuar, pavarësisht se një vendim përfundimtar për aktivizimin e tyre nga minuta e parë do të merret vetëm në orët e fundit. Kjo për të mos rrezikuar asgjë për shëndetin e dy lojtarëve, që janë dy nga pikat e forta të formacionit shkodran. Një dilemë më e madhe lidhet rreth gjendjes fizike të Artan Jazxhi.

Edhe durrsaku që mungoi në duelin e parë, duket i gatshëm për trajnerin Martini. Kjo mund të jetë ndeshja e parë dhe e fundit për shtatlartin me fanellën e Vllaznisë, që në përfundim të ndeshjeve europiane do të kthehet sërish te Teuta. Gjithçka do të finalizohet në orët e ardhshme për formacionin dhe titullarët që do të zbresin në fushë ditën e enjte në Letoni. Por, e sigurt është se Vllaznia do të ketë më shumë opsione se në 90 minutat e para të zhvilluara në Elbasan.

NDRYSHIMET – Trajneri Edi Martini pritet të bëjë disa ndryshime në formacion në ndeshjen e kthimit ndaj Daugavpils. Tekniku 50- vjeçar tashmë me rikthimin e disa futbollistëve mund të mos prezantojë të njëjtin formacion siç bëri në Elbasan para një jave. Kështu gjithçka duket se nis nga mbrojtja, ku Jazxhi pritet të jetë titullar, por gjithnjë duke parë gjendjen shëndetësore të durrsakut. Dhe, nëse 23- vjeçari do të jetë në fushë, në stol pritet të përfundojë Bajrami.

Gjithmonë nëse pjesë e repartit të mbrojtjes do të jetë Gurishta. Pasi ky i fundit pritet të kthehet në krahun e djathtë dhe në këtë mënyrë do të ishte Kruja që do të spostohej. Shkodrani mund të aktivizohet edhe në mesfushë, duke krijuar kështu treshen me Krymin dhe Qaton. Një opsion shumë serioz për mbrojtjen pritet të jetë edhe Elmando Gjini, me ishmbrojtësin e Teutës që vlerësohet shumë për shtatlartësinë e tij dhe kjo është një pikë për të neutralizuar kundërshtarët. Në mesfushë po ashtu pritet të ketë ndryshime, pasi Mala duket se do të prezantohet nga minuta e parë, me prizrenasin që pritet të luajë pas dy sulmueseve Dodaj – Balaj. E ndërsa në pozicionet e tjera nuk pritet të ketë shumë ndryshime, me kuqeblutë që patjetër do të prezantojnë një formacion më sulmues, për të tentuar përmbysjen dhe kalimin në turin tjetër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb