Adriatik Lapaj po përplaset publikisht me Endri Shabanin, bashkëkryetar i koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 majit, duke e akuzuar atë se po kërkon ta pengojë të marrë mandatin e deputetit.

Në një postim në facebook, Lapaj thotë se është angazhuar e gjithë Këneta që ai të mos shkojë në parlament.

Në mesazhin e tij, kreu i “Shqipëria Bëhet”, thotë se dajo i Shabanit, Zeqiri i cili ishte i pari në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë të koalicionit, nuk do të marrë asnjë mandat.

“Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat.

Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament. Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë.

Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala!  U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë”, shkruan Lapaj.

Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon”! thotë Lapaj ndër të tjera. Më tej, ai shton se nuk është ndalur as nga Rama dhe Saliu e “deri te ky që e futa në gji…nga të gjithë”.

“Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI! Populli do gjykojë”, përfundon mesazhi i Adriatik Lapajt.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb