Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në Log. në Neës, për të diskutuar rreth temës “Kush e komandon skenën politike”, u shpreh me nota kritike ndaj aksionit të qeverisë në Theth për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Vangjeli pohoi se Thethi nuk ka nevojë për rruspa dhe buldozerë, por për ujë dhe energji elektrike dhe të ishte zgjidhur më parë çështja e pronës. Nga ana tjetër, kritik ishte edhe ndaj shkarkimeve masive të drejtorëve në bashkitë e vendit.
Lorenc Vangjeli: “Për ta kuptuar më mirë, duhet të ballafaqohet me të shkuarën. Ka patur klimë armiqësore në 2005-2011 kur Rama ishte kryebashkiak me zotin Berisha. Transpozoni këtë të sotmen me atë periudhë. Berisha të shkonte në bashki të fliste si administrohet bashkia, edhe polici bashkiak do i thoshte nuk lejohet të hysh këtu. Një ndarje e qartë e dy pushteteve, kanë pavarësi relative. Sot nuk na bën përshtypje, se edhe kryeministri dhe kryetari bashkisë janë e njëjta forcë. Këtu dalim te tradita më e hershme shqiptare, ku pushteti politik i merr të gjitha. Sillet edhe si kryebashkiak i bashkisë së Shqipërisë. E trajton Shqipërinë si një bashki e vetme. Ka një shkelje në frymë dhe përmbajtje të ligjit. Pjesa tjetër, a ka të drejtë? Ana tjetër. A duhet të ikin një pjesë e madhe, e këtyre lloj administratorësh, pa dyshim. A është kjo mënyra e duhur? Jo.
Reforma e kontrollit të territorit është përdorur kaq shpesh, dhe kaq shpesh shohim rruspa dhe buldozerë. Më kujton kohën e shkuar, kazmën kur i këndonim. Kazma shkatërron nuk ndërton. Jemi autodestruktivë. Ndërto dhe shkatërro. Në Theth shteti duhej të zgjidhte problemin e pronës. Duhej të siguronte furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Sa herë që shpërthen tritoli, një rruspë bëhemi më të varfër. Merremi me lloj gjërash dhe nuk merremi me një gjë të thjeshtë. Duhej të çonte, energji, ujë dhe një copë letër.”
(BalkanWeb)
