Gjatë mesditës së sotme një vatër zjarri është riaktivizuar në masivin pyjor në Drenovë të Mallakastrës. Të favorizuara nga era e fortë flakët u përhapën me shpejtësi në disa drejtime, duke u shtrirë në një sipërfaqe të gjerë.
Forcat zjarrfikëse kanë operuar me mjete rrethanore për shkak të terrenit të vështirë i cili pamundëson ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Duke qenë se Drenova është zonë naftënxjerrëse, në territorin e saj ndodhen disa puse nafte dhe një nënstacion elektrik në funksion të tyre, të puseve, si dhe një magazinë.
Falë ndihmës së mjeteve zjarrfikëse dhe autobotëve të Albpetrolit, flakët janë vënë nën kontroll, ndërkohë që këto pika kritike do të monitorohen përgjatë gjithë natës nga grupet e gatshme, ndërsa në orët e para të mëngjesit aksionit për shuarjen e zjarrit do t’i bashkohen edhe forca të ushtrisë, ndërsa është bërë kërkesë edhe për ndërhyrje nga ajri.
(BalkanWeb)
